Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, në deklarimin e tij për media para se të nisë takimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi sot në Bruksel, ka thënë se do të diskutojnë hapat konkretë që duhet të ndërmerren nga të dyja palët drejt zbatimit të marrëveshjes së dakorduar vitin e kaluar.
“Shpresoj që sot definitivisht do të diskutojmë se si të sigurojmë dhe që më në fund të lëvizim përpara në bazat e kësaj marrëveshje. Për këtë do të diskutojmë hapat e ardhshëm. Ajo që është dakorduar duhet të zbatohet. Veprimi duhet të pasojë marrëveshjen, zbatimi është fjala kyçe dhe sot do të punojmë në hapat konkretë të ardhshëm të implementimit”, tha Borrell, raporton Gazeta Express.
Ai e potencoi se pas pak kohësh do të ketë emra të rinj në postet aktuale, por se qëndrimi i BE-së për këtë çështje do të mbetet i pandryshuar.
“Do të ketë njerëz e emra të ndryshëm në postet tona, por marrëveshja, konkluzioni i Këshillit dhe pritshmëritë e BE-së nuk do të ndryshojnë, shtetet anëtare nuk do të ndryshojnë, zotimet dhe angazhimet e Kosovës dhe Serbisë nuk do të largohen”, tha ai, duke shtuar se normalizimi i Kosovës dhe Serbisë është “në zemër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor”.
Në fillim, Borrell e potencoi se takimet e vitit të kaluar i ka dominuar përpjekja për gjetjen e zgjidhjeve të krizave që u krijuan.
“Jemi takuar disa herë vitin e kaluar, në disa raste diskutimet kanë qenë intensive dhe thuajse në të gjitha takimet në shtator, në qershor, në maj ne kryesisht jemi fokusuar në menaxhimin e krizave – njëra pas tjetrës. Disa ngjarje që na kanë mbajtur shumë të zënë duke provuar të gjejmë zgjidhje për secilën krizë”, tha Borrell, derisa akuzoi palët për mungesë të angazhimit, mungesë të progresit, mungesë të zbatimit, mungesë të gatishmërisë për të gjetur konsensus.