Këtë javë deputetët do të diskutojnë për Projektbuxhetin e vitit 2023

“Kryesia e Kuvendit mori vendim që këtë javë të kemi dy seanca, të enjten seancë plenare të re kurse të premten vazhdim i pikave të papërfunduara nga seancat e mëhershme. Gjithashtu caktuam edhe rendin e ditës për seancën e 24 nëntorit. Të enjten do të kemi vetëm Projektligjin për Buxhetin e vitit 2023”, tha deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi.

Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit. Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në dy seanca plenare gjatë kësaj jave.

Të enjten, do të mbahet seanca e re plenare, ku pritet të diskutohet për buxhetin e vitit 2023, ndërsa të premten do trajtohen pikat e mbetura nga seancat e kaluara.

Në fund të muajit tetor, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2023, i cili pritet të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Një miliardë e 98 milionë euro janë ndarë për subvencione e transfere, 811 milionë në shpenzime kapitale, 745 milionë të tjera në kategorinë ‘ paga dhe mëditje’, dhe 493 milionë euro në mallra dhe shërbime.

Leave a Reply

Your email address will not be published.