Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, me anë të një postimi në Facebook shprehet se Statuti i ri i Universitetit të Prishtinës, i miratuar ditë më parë në Kuvend, “qenka dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga PDK”.
Kjo, sipas saj, konfirmon edhe një herë që ndryshimet e mëdha e pozitive që janë bërë së fundi në universitet kanë prishur rehatinë e atyre që dikur kanë kontrolluar vendimmarrjen në UP.
Nagavci tutje shprehet se justifikimet e këtyre subjekteve si pretekst për mospjesëmarrje në votim të Statutit të UP-së janë mbulim i arsyes së vërtetë që lidhet me kriteret drejt cilësisë të vendosur në këtë Statut.
“Veprimi i PDK-së është natyrisht në vazhdën e luftimit dhe sabotimit të vullnetit qytetar dhe reformave shtetërore të ndërmarra në shumë sektorë. Po ashtu, dërgimi i Statutit cenon rëndë autonominë e Universitetit, sikurse është tentativë për rikthimin e UP-së hapa pas ku ishte”.
“Kriteret e standardet në Statut janë të vendosura nga vet Universiteti që ka kaluar nëpër një mori nivelesh nga Komisioni Profesional e gjithëpërfshirës deri te hallkat vendimarrëse në Universitet si Senati dhe Këshilli Drejtues”, shkroi Nagavci. Ministrja e Arsimit për fund potencoi se Universiteti i Prishtinës do ta fitojë edhe këtë betejë dhe se ngadalë por sigurt do të kthehet aty ku e ka vendin, universitet me autonomi, akademi, integritet e kredibilitet.