/

Konjufca shkon te familja e Enver Zymerit dhe Afrim Bunjakut në Ditën Memoriale të policëve të rënë në detyrë

Kryeparlamentari Glauk Konjufca sot ka shkuar në vizitë te familjet dy heronjve, Enver Zymeri dhe Afrim Bunjaku, në Ditën Memoriale të policëve të rënë në detyrë.

“Me konsideratën më të lartë e respekt të thellë i përkujtojmë sot me nderime të gjithë policët tanë të rënë në detyrë! Duke bërë homazhe pranë pllakës përkujtimore kushtuar zyrtarëve të rënë policorë, shpreha vlerësimin e lartë ndaj aktit heroik të policëve tanë që dhanë jetën duke i shërbyer në mënyrë të pashoq shtetit dhe qytetarëve tanë, me përpjekjen e tyre sublime për të mbrojtur rendin ligjor e kushtetues, në luftën kundër cenimit të integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë, si dhe kundër krimit të organizuar”.

“Po ashtu, bëra vizitë në familjet e dy heronjve tanë, të Enver Zymerit dhe Afrim Bunjakut, të cilët me guximin dhe vendosmërinë e tyre, me dashurinë ndaj atdheut dhe përgjegjësinë e lartë ndaj detyrës sakrifikuan jetën e tyre duke mbrojtur sovranitetin dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës, që u kërcënuan nga strukturat kriminale dhe forcat paramilitare të dirigjuara prej Serbisë”, tha Konjufca.

Konjufca tha se kjo ditë e përkujtimit “të heronjve tanë policorë shënohet në datën e rënies së Enver Zymerit, i cili vdiq më 26 korrik të vitit 2011 pasi ishte qëlluar me armë nga strukturat kriminale të Serbisë, në operacionin për të shtrirë kontrollin shtetëror në pikat kufitare. Homazhet i vijuam pikërisht aty ku gjendet pllaka përkujtimore për nder të tij, në vendin ku ai ra heroikisht|.

Kryeparlamentari shtoi se sakrifica sublime e të gjithë zyrtarëve tanë policorë të rënë në detyrë i bën ata heronj të shtetit të Kosovës, ndërsa “ne na bën të përkulemi përballë këtij shembulli të dinjitetit dhe përkushtimit, që do të na frymëzojë të gjithëve ne dhe brezat që do të vijnë, për të na kujtuar se jeta jonë bëhet gjithnjë e më e plotë kur ajo është në shërbim të forcimit të atdheut, e jetët e dhëna për të janë jetë të përjetshme, siç është atdheu ynë”.

“Lavdi të gjithë policëve tanë që dhanë jetën e tyre në mbrojtje të shtetit tonë! U përkujtofshin me admirim dhe respekt përjetësisht!”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.