Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, pas një diskutimi të gjatë në Këshillin për Punë të Jashtme të BE’së, mbi tensionet e reja mes Kosovës dhe Serbisë dhe daljes nga kriza, ai tha se propozimi “franko-gjerman” nuk është i Gjermanisë dhe Francës. Tashmë kur u pranua zyrtarisht se palët po e shqyrtojnë këtë propozim në kuadër të procesit të lehtësuar nga BE-ja, Brukseli mori pronësinë e tij.
Propozimi franko-gjerman për arritjen e një marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë po del të jetë propozim zyrtar i Brukselit, ndërsa Franca e Gjermania e kanë mbështetur fort. Dokumenti 2 faqesh për të cilin Borrell foli mbrëmë, u mbajt në konfidencialitet të plotë, derisa dy këshilltarët, e Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz, nuk erdhën në Prishtinë e Beograd. Kurtit nuk i ndryshoi disponimi për dokumentin. E vlerëson si bazë të mirë dhe shpreson për bisedime intensive.
“Propozimi i ashtuquajtur propozim franko-gjerman në fakt është mbështetje franko-gjermane, por propozimi është bërë nga unë dhe Miroslav Lajçak. Është propozim, le të themi europian”, ka theksuar shefi i diplomacisë së BE’së.
Në po të njëjtën ditë, nga një tjetër kryeqytet europian, Kurti në Forumin Ekonomik të Vjenës, e tha të njëjtën dhe zbuloi edhe diçka më tepër për ardhjen e këshilltarëve nga Franca dhe Gjermania.
“Pas takimit të mbajtur më 18 gusht, dy emisarë specialë nga Berlini dhe Parisi, shoqëruan emisarin special të Brukselit, Lajçak, Jens Plotter dhe Emmnuel Bonne, të cilët kanë kombinuar ide dhe opsione të ndryshme në një plan që më vonë u quajt propozimi franko-gjerman, por ishte më tepër propozim i Brukselit i mbështetur nga të dyja, Parisi dhe Berlini, por edhe Ëashingtoni. Ky propozim u njoftua në takim nga zotëri Lajçak dhe ai kishte mbështetjen e Parisit, Berlinit dhe Ëashingtonit”.
Kurti iu tregoi panelistëve edhe pozicionin e përgjithshëm të Kosovës mbi këtë propozim, por pa hyrë në detaje.
“Tash unë insistoj në diskutimin e kornizës së përgjithshme në këtë propozim franko-gjerman – siç po thirret në mënyrë popullore – dhe shpresoj që ne do të intensifikojmë bisedimet. Këtë propozim të fundit e shoh si një bazë të mirë për diskutime, një tekst të bazuar në vlera. Ne kemi nocione dhe koncepte të BE-së dhe unë shpresoj shumë që ta ndërtojmë mbi to”
Kryeministri Kurti tha se Kosova s’mund të bëjë marrëveshje me Serbinë nëse në procesin e negociatave s’janë të përfshirë aleatët kryesorë të vendit.
“Ne nuk mund të kemi këtë marrëveshje me Serbinë pa e pasë BE-në dhe SHBA-në që organizojnë dhe ndërmjetësojnë dhe pa perspektivën e BE-së”.
Megjithatë, në këtë forum Kurti tha diçka që mund të jetë në shpërputhje me propozimin e Brukselit. Ai sërish e vuri në theks se marrëveshja duhet të jetë me njohje reciproke, përkundër që propozimi – siç dihet deri më tani – nuk parasheh njohje.
Kurti kritikoi procesin e deritashëm të dialogut me Serbinë, duke thënë se u zhvillua në atë mënyrë që i është qasur problemeve si të vetme. Ndërkaq, lëvdata hodhi për takimin e 18 gushtit në Bruksel kur vetë ai ishte përballë me presidentin serb Vuçiq dhe me ndërmjetësuesit Borrell dhe Lajçak.
“Takimi i fundit i 18 gushtit ishte më konstruktivi dhe më pozitivi deri tani dhe kjo më bën optimist. Megjithatë, ne duhet të bëjmë shumë përpjekje sepse situata në vendin tonë është më tepër rrezik sesa e pasigurt për sa i përket agresivitetit të Serbisë dhe shpresoj që shtetet e familjes europiane dhe euroatlantike që të ulin tensionet dhe në veçanti që të kemi paqen si fjalën kryesore”, tha Kurti në Vjenë.