Këto janë të gjitha vendimet që u miratuan sot në Qeveri

Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës, u miratuan një sërë projektligjesh dhe rregullore të rëndësishme që prekin fusha të ndryshme, duke përfshirë drejtësinë, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe menaxhimin e burimeve kombëtare.

Ndër projektligjet e miratuara përfshihet ai për aderimin në Konventën për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja në Çështje Civile apo Tregtare, që synon të zgjerojë rrjetin e organizatave ndërkombëtare ku Kosova është anëtare dhe të konsolidojë subjektivitetin e saj juridiko-ndërkombëtar.

Po ashtu, u miratua edhe projektligji për aderimin në Konventën për Marrjen e Provave Jashtë Vendit në Çështjet Civile apo Tregtare, që do të lehtësojë bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar.

Qeveria gjithashtu miratoi Projektligjin për Aderimin në Konventën për Zgjedhjen e Marrëveshjeve Gjyqësore, duke garantuar siguri dhe efektivitet në zgjidhjen e marrëveshjeve gjyqësore ndërmjet palëve në transaksionet tregtare.

Ndër rregulloret e miratuara përfshihen ajo për Edukimin, Trajnimin dhe Njohjen e Shërbimeve dhe Ekspertëve në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi bërthamor dhe rregullorja për Menaxhimin e Programit për Zhvillim Rajonal të Balancuar, që përcakton kushtet dhe procedurat e menaxhimit të burimeve financiare të këtij programi.

U miratuan gjithashtu rregulloret për ekspertët dhe për vlerësimin dhe njohjen e statusit dhe të drejtave të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

Qeveria gjithashtu plotësoi dhe ndryshoi disa vendime të mëparshme që lidhen me projektet e mbrojtjes dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore në lokalitetet arkeologjike Ulpiana dhe Dresnik, duke nënvizuar angazhimin e institucioneve për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, u kërkua nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënia e autorizimit Ministres së Drejtësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike dhe Marrëveshjes për Ekstradim me Republikën e Francës.

Këto marrëveshje janë një hap i rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit juridik ndërmjet dy vendeve.

Ndër vendimet e tjera, u aprovua transferi i mjeteve buxhetore për mbështetje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese, si dhe nisma për lidhjen e marrëveshjes për projektin “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prizren”.

Qeveria gjithashtu ndau mjete për zbatimin e masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, duke përfshirë mbështetjen e ndërmarrjeve publike dhe sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit.

Në fund, u shkarkua Bordi i Drejtorëve dhe u emërua Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.