Hapja e Urës së Ibrit, a u tërhoq pak Kurti pas deklaratave lutëse të amerikanëve?

Kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimin me partnerët e Kosovës lidhur me hapjen e urës mbi lumin Ibër në veri.

“Hapja e urës nuk është kundër askujt, veçanërisht kundër partnerëve ndërkombëtarë”, tha Kurti gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së tij të mërkurën.

Ai, gjithashtu, shtoi se Qeveria e Kosovës e konsideron hapjen e urës si “gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë”.

Këto deklarata të tij erdhën vetë një ditë pasi ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se, popullata lokale dhe ushtarët e NATO-s, përfshirë ata amerikanë, mund të rrezikohen nëse Qeveria e Kosovës vendos të hapë urën në këtë kohë.

Sikur SHBA dhe shtetet tjera të QUINT-it, Britania e Madhe, Franca, Italia, Gjermania kanë kërkuar që çështja e “Urës së Ibrit” të shtrohet në tryezën e Dialogut në Bruksel, ndërkaq kryeministri Kurti ka këmbëngulur se dialogu për të ka përfunduar më 2016/17.

Hovenier: Ura duhet të hapet, por hapja e saj në këtë kohë mund të rrezikojë ushtarët amerikanë

Hovenier e ka bërë të qartë sërish se ShBA-ja mbështet hapjen e urës. Megjithkëtë, ai ka kërkuar që kjo të bëhet përmes dialogut.

“Me të vërtetë më vjen mirë që e shtruat këtë pyetje sepse mendoj se kjo çështje është keqkuptuar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë fuqishëm se nuk është koha për të rihapur urën për qarkullim të automjeteve. Më lejoni të sqaroj diçka. Ne besojmë se ura përfundimisht do të duhet të hapet për qarkullim të automjeteve dhe kjo gjë, siç e thatë edhe ju, ishte pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Është arritur një marrëveshje, por ne i kemi kërkuar Qeverisë që të mos vazhdojë me këtë çështje, tash për tash, dhe këtë nuk e kanë bërë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kolegët e mi të QUINT-it kanë qenë me mua në një takim me kryeministrin (e Kosovës, Albin Kurti) për këtë çështje”, ka thënë Hovenier.

Hovenier ka dhënë, si kurrë më parë, një arsye të fuqishme se përse ShBA-ja kërkon që në këtë kohë Qeveria e Kosovës të mos ndërmarrë një hap të tillë.

“Rrezikohen ushtarët amerikanë” është fjalia goditëse e Hovenier, përballë së cilës nuk dihet se si do të reflektojë kryeministri Kurti.

“Arsyeja pse e kërkojmë këtë është se besojmë se ka rrezik të njëmendtë që lidhet me një veprim të tillë tani, si dhe besojmë se ky rrezik shton kërcënimin e mundshëm për dhunë dhe probleme të tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë, të cilët po punojnë për të ofruar paqe dhe siguri në Kosovë. Dhe, ne i marrim shumë seriozisht veprimet që mund të ndikojnë në sigurinë e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha Hovenier.

Hovenier: Ju lutem, mos e ndërmerrni këtë veprim tani

Hovenier, si kurrë më parë, është lëshuar në “lutje” për Qeverinë e Kosovës.

“Pra, kërkesa jonë drejtuar Qeverisë – dhe e kemi bërë këtë bisedë qe disa muaj – është: ju lutemi, mos e ndërmerrni këtë veprim tani. Punoni me ne. Duam të ndihmojmë për të krijuar kushte ku diç e tillë mund të bëhet, por nuk besojmë se është koha tani”, shprehet Hovenier.

“Por, kush mund të shkaktojë dhunë”, është pyetur Hovenier, i cili sigurisht se ka mbajtur të fshehur informacionet që ShBA-të kanë, por ka treguar për seriozitetin e situatës.

“Nuk mund të flas se kush mund të shkaktojë dhunë. Vetëm e di se kemi vlerësim që mund të ketë dhunë dhe që është reale dhe pyetja se kush mund të jetë përgjegjës për të, që është pyetje shumë e arsyeshme, nuk e mohon faktin se mund të ketë dhunë dhe rrezik të njëmendtë për komunitetin lokal dhe për ushtarët e NATO-s. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të interesuara që në këtë çast ushtarët amerikanë të përballen me rrezik shtesë për këtë çështje”, ka thënë Hovenier.

Hovenier: KFOR-i do të reagojë ndaj çfarëdo kërcënimi

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, sa i përket çështjes së Urës së Ibrit, është pyetur nëse KFOR-i mund të vihet në përballje me autoritetet e Kosovës.

Hovenier ka thënë se nuk mund të flasë se si Kosova mund të reagojë në një situatë tillë, por ka shtuar se KFOR ka qenë shumë i qartë sa i përket hapjes së urës.

“A mundet KFOR-i të refuzojë që të largohet nga ura?”, ka qenë pyetja tjetër për Hovenier, i cili këtë çështje e ka lënë në duart e NATO-s, duke lënë të nënkuptohet se mbështesin qëndrimin e shprehur nga KFOR-i.

“Për këtë duhet të vendosë vetë KFOR-i. KFOR-i ka dhënë një varg deklaratash publike që është i gatshëm të përmbushë detyrat e tij, për të garantuar mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar liri të lëvizjes në vend, por gjithashtu ka dalë me deklarata që qartësojnë se do të reagojë ndaj çfarëdo kërcënimi që do të rriste jostabilitetin në rajon”, ka thënë Hovenier.

Leave a Reply

Your email address will not be published.