Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj ministres Gërvalla

Gjykata Themelore në Prishtinës ka konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministres Donika Gërvallës. Ajo ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar vendimin e marrë më 19 qershor 2024, përmes të cilit gjykata ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës të parashtruara nga mbrojtësja e Gërvallës, avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku.

E me qëllim që gjykata të ketë një pasqyrë më të qartë lidhur me këtë çështje penale si dhe për faktin se e njëjta detyrohet që saktësisht dhe tërësisht të vërtetoj faktet për të marrë një vendim të ligjshëm, ka vendosur që procedura penale e filluar ndaj Gërvallës të vazhdohet tutje në fazat e tjera të procedurës.

Lidhur me akuzën për mosraportim të saktë të pasurisë, në seancën fillestare më 7 mars 2024, Gërvalla ishte deklaruar e pafajshme. Më pas avokatja e saj, Keqekolla-Sadiku kishte parashtruar kërkesë që të hudhet poshtë aktakuza.

Mbrojtja kishte pretenduar se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se e mbrojtura e saj ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë, duke theksuar se aktakuza është e mangët dhe nuk është në harmoni me kërkesat ligjore.

“… ngase Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë të vetme që kishte për të vërtetuar “dyshimin  e bazuar mirë”, se e pandehura ishte subjekt i cilësdo formë të kryerjes së veprës penale që i vihet në barrë”, kishte theksuar avokatja Keqekolla-Sadiku në kërkesën e saj.

Mirëpo, kërkesa e tillë e mbrojtjes, sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë është e pabazuar dhe e njëjta është refuzuar.

Gjykata ka gjetur se aktakuza mbështetet në prova të marra konform dispozitave ligjore dhe sipas saj, nuk ka vend për hedhje të aktakuzës ngase nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale, vepra penale nuk është përfshirë në parashkrim dhe nuk ka rrethana tjera të cilat e pengojnë ndjekjen penale.

“… duke marrë parasysh se në këtë fazë të procedurës penale kemi të bëjmë edhe me ligjshmërinë e aktakuzës gjykata çmoi se vepra penale për të cilën akuzohet e pandehura përbën vepër penale, andaj duke marrë parasysh se në bazë të nenit 7 të KPRK-së gjykata detyrohet që saktësisht dhe tërësisht t’i vërtetoj faktet të cilat janë të rëndësishme për marrjen e vendimit të ligjshëm konsiderojmë se  në këtë çështje penale duhet të mbahet shqyrtimi gjyqësorë në mënyrë që gjykata të ketë një pasqyrë më të qartë lidhur me këtë çështje penale”, thuhet tutje në vendimin e gjykatës.

Po ashtu, pretendimet e mbrojtjes se nuk është vërtetuar implikimi i të pandehurës në çështjen penale që i vihet në barrë, kjo gjykatë i ka vlerësuar si të pabazuara sepse ngjarja e paraqitur nga mbrojtja nuk mund të shqyrtohet në këtë fazë të procedurës penale.

“Për faktin se gjykata nuk është e autorizuar të bëjë vlerësimin e provave në këtë fazë të procedurës, pretendimet në rastin konkret janë çështje që do të vlerësohen dhe vërtetohen në shqyrtimin gjyqësor të mëtutjeshëm pas administrimit të provave, ku edhe do të vërtetohet fajësia apo pafajësia e të pandehurës”, thuhet në këtë vendim.

Mbrojtja pa shkresa të lëndës, dështon për herë të tretë…

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar më 31 janar 2023 nga prokurori Astrit Gashi, Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike me obligim ligjor të deklarimit të pasurisë, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.

Aktakuza thotë se e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort.

Tutje, në akuzë thuhet se Gërvalla nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik-Komuna e Deçanit, duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2.

Po ashtu, Gërvalla sipas akuzës thuhet se nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj.

Me këto veprime, Gërvalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj 2023 kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës.

“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, më 31.01.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj D.G., për shkak të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe të njëjtën e ka proceduar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë”, kishte konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Pasi u bë i ditur lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në Facebook, tha se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve.

Ndryshe, më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare.

Katër muaj pas këtij hulumtimi, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), tani Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), kishte njoftuar se është ende duke trajtuar rastin e ministres Gërvalla.

Sipas këtij hulumtimi, rezultoi se Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.