Sipas MSH-së, ud.ministrja Dafina Gexha-Bunjaku e cila e ka emëruar Spahiun në këtë Bord, nuk e paska ditur se ai ka lidhje familjare me Kusari-Lilën.
Ministria e Shëndetësisë i është përgjigjur sot Gazetës Shneta lidhur me raportimin e djeshëm për emërimin e Shkumbin Spahiut në Bordin e Ankesave në AKPM, i cili është dhëndër i deputetes së LVV-së Mimoza Kusari-Lila.
Shkumbin Spahiu, dhëndri i shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së Mimoza Kusari-Lilës, është emëruar në Bordin e Ankesave në AKPM nga ud.ministrja Dafina Gexha-Bunjaku. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se nuk e kanë ditur për lidhjen familjare të Shkumbin Spahiut me deputeten Mimoza Kusari-Lila.
Vazhdojnë dasmat në institucione – Dhëndri i Kusari-Lilës emërohet në bordin e ankesave në AKPM
“Mund të ju informojmë që për lidhjen familjare të z. Shkumbin Spahiu me deputeten Kusari Lila kemi kuptuar vetëm pas raportimit të mediumit tuaj, dhe ju sigurojmë që emërimi i tij në bordin për ankesa në AKPPM ka qenë vetëm si rezultat i profilit të tij profesional, mbështetur në UA 05/2015 Bordi i ankesave dhe se nuk bëhet fjalë për kurrfarë ndikimi politik”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Ushtruesja e detyrës së ministrit të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, më 31 tetor ka emëruar përbërjen e re të Bordit të Ankesave në Agjencinë për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Në këtë Bord janë tre anëtarë me mandat tre-vjeçar të cilët emërohen nga ministri i Shëndetësisë bazuar në Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Gexha-Bunjaku ka emëruar Meliza Qorraj, Shkumbin Spahiun dhe Gëzim Berishën.
Shkumbin Spahiu është bashkëshorti i motrës së deputetes dhe shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila. Spahiu poashtu është drejtor ekzekutiv në një organizatë joqeveritare e cila bashkëpunon edhe me bashkëshortin e Kusari-Lilës, Arben Lila.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga Gexha-Bunjaku për këtë emërim, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje. Përgjigje nuk kanë kthyer as Spahiu dhe as Kusari-Lila, nëse emërimi është bërë me ndikim politik.