Në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve (APA) Kurti ka folur për zhvillimet e fundit në vend dhe dialogun Kosovë-Serbi. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së fundi ka qëndruar për vizitë në Austri.
Kurti ka thënë se do të mbushen vendet vakante në institucionet e Kosovës në veri të lëna pas dorëheqjes së serbëve.
Ai ka thënë se edhe deputetët e Listës Serbe do të zëvendësohen në bazë të ligjit të zgjedhjeve.
“Në do të organizojmë zgjedhje të reja në katër komunat veriore. Nuk mund të lejojmë vakum institucional”, deklaroi Kurti për APA.
Duke folur për vendet e lëna bosh në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka thënë se nëse Lista Serbe nuk dëshiron të futet në Kuvend dhe Qeveri, “do të gjenden partnerë tjerë”, duke aluduar në subjektet tjera politike të serbëve të Kosovës ashtu siç e parashikon Kushtetuta.
Ai ka thënë se edhe policët do të zëvendësohen “sepse duhet të garantojmë rendin dhe sigurinë për të gjithë që jetojnë në ato zona”.
“Ne kemi nevojë për policë të mirë me integritet personal dhe profesional, pavarësisht nga etnia e tyre”, deklaroi tutje Kurti.
Tensionet në zonë u shtuan pasi qeveria e Kosovës filloi me 1 nëntor zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për shtyrjen e afatit.
Punonjësit serbë u tërhoqën nga të gjitha institucionet vendase me 4 nëntor.
Sipas vendimit të qeverisë nga 21 nëntori fillon periudha e gjobitjes së atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave.
Kurti megjithatë thotë se vetëm një pakicë serbe në të vërtetë kundërshtojnë zëvendësimin e targave.
Deri më tani janë bërë rreth 1,500 qortime dhe sipas Kurtit asnjë problem nuk është paraqitur nga qytetarët serb.
“Serbët pranojnë qortimet dhe asnjë vërejtje nuk e kanë ndaj policisë, ata janë paqësorë. Problem është te strukturat ilegale që financohen nga Beogradi”.
I pari i ekzekutivit është shprehur sërish kundër themelimit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe, derisa sipas tij një gjë të tillë nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës.
“Unë e kam marrë pushtetin vitin e kaluar, kanë qenë paraardhësit e mi që e kanë nënshkruar këtë marrëveshje me të njëjtit njerëz që janë edhe sot në pushtet në Serbi. Pse nuk e zbatuan atëherë? Kushtetuta jonë nuk pranon Asociacion një etnik. Thelbi i saj është multietniciteti”, ka thënë Kurti.
I pari i Qeverisë thotë se as serbët e Kosovës nuk janë të interesuar për një Asociacion të tillë.
“Vetëm Beogradi do që kjo të ndodh me qëllim që të kompensohen humbjet që pësuan në luftën në kohën e Millosheviçit”, shtoi Kurti.
Megjithatë, Kurti shprehu besimin se në dy vitet e ardhshme do të ketë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
“Njohja e ndërsjellë duhet të jetë në qendër të marrëveshjes,” tha kreu i Qeverisë së Kosovës.
Kurti tha se plani franko-gjerman është “një bazë të mirë për diskutime”, pa dhënë shumë detaje.
“Plani ka shumë të meta, por është një pikënisje e mirë,” tha kreu i qeverisë.
Ai ka konfirmuar edhe se deri në fund të vitit Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkim Evropian.
“Duam të tregojmë publikisht se duam të anëtarësohemi në BE”, tha Kurti.