Fried: Kosova duhet të bëjë gjithçka që mundet për ta bërë të qartë se e ardhmja e vet është me Evropën

Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried ka folur për Kosovën dhe situatën në veri të saj, ku ka deklaruar se Kosova është shtet sovran, por duke theksuar se të drejtat e saj duhet t’i shfrytëzojë në mënyrë intelegjente.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Fried tha se Kosova duhet të bëjë gjithçka që mundet për ta bërë të qartë se e ardhmja e vet është me Evropën.

“Kam qenë shumë ngushtë i përfshirë në pavarësinë e Kosovës. Gjatë administratës [së ish-presidentit amerikan, Goerge] Bush, kam qenë njëri ndër avokuesit më të hershëm, dhe kam negociuar me Bashkimin Evropian dhe me shtetet evropiane, prandaj e di historinë aty. Sipas pikëpamjes amerikane, Kosova është shtet sovran, ka të drejta, por duhet t’i shfrytëzojë ato të drejta në mënyrë inteligjente dhe jo vetëm duke marrë qëndrim të guximshëm, dhe që njerëzit tjerë të bëjnë pastaj punën e vështirë për t’u përballur me pasojat.

Objektivi kryesor është pozita e Kosovës në botë, në Evropë dhe shpresoj në të ardhmen edhe në Bashkimin Evropian. Por, kjo duhet të bëhet në një mënyrë që është e qëndrueshme, dhe jo në një mënyrë që krijon mosmarrëveshje mes Kosovës dhe miqve të saj. Në interesin e kujt është kjo?”, ka deklaruar ai.

I pyetur se çfarë duhet ndryshuar nën udhëheqësinë e re për ta kthyer dialogun në binarë, ai tha:

“Serbia dëshiron të mbajë një këmbë në Evropë, një këmbë në Rusi, pak lëvizje drejt Kinës. Kjo është lojë e njohur, dhe më duket ide më e mirë që Kosova të mos luajë lojë të ngjashme, por të punojë me Bashkimin Evropian, për të forcuar pozicionin e vet. Po, dialogu mund të ketë vështirësi, mirëpo nëse problemi, sipas Kosovës, qëndron te mosgatishmëria e Serbisë për të pranuar që Kosovën e ka humbur përmes veprimeve të veta, me fajin e vet, atëherë Kosova duhet të bëjë gjithçka që mundet për ta bërë të qartë se e ardhmja e vet është me Evropën, dhe shpresoj që një ditë edhe në Bashkimin Evropian, ashtu sikurse Serbia, çka ndihmon në minimizim të këtyre problemeve.

Ai tutje ka shtuar se dialogu fundin duhet ta ketë me njohje reciproke, njohje të Kosovës, si shtet evropian.

“Sido që ta ketë fundin, duhet të ketë njohje reciproke, njohje të Kosovës, si shtet evropian, me të ardhme evropiane, plus – edhe kjo duhet të jetë pjesë e marrëveshjes – që të njihet se serbët në Kosovë nuk janë të huaj, nuk janë jashtëtokësorë të rrezikshëm, të mos ketë asnjë ndonjë element dyshimi apo përbuzjeje, por të shihen si popull përbërës i Kosovës. Është në flamurin e Kosovës.

Dhe, nëse serbët e Kosovës nuk janë rehat me kufirin, përgjigja përfundimtare është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Kufiri zhduket. Është brilante, e thjeshtë. Mbani sytë te shpërblimi: një Kosovë e pavarur, në familjen evropiane, me të drejta për të gjithë banorët e Kosovës“, ka deklaruar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.