Stradner: Serbia sot e dëshmoi edhe njëherë se nuk do jetë kurrë pjesë e NATO-s dhe nuk vendos sanksione ndaj Rusisë

Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, ka thënë se Serbia kurrë nuk do të jetë anëtare e NATO-s, derisa të jetë nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiqit.

Ajo ka komentuar takimin e sotëm të Aleksandar Vulinit me presidentin rus Vladimir Putin.

“Sot Putin u takua me qeverinë serbe, e cila tha se Serbia nuk do të bëhet kurrë një anëtare e NATO-s nën Vuçiç, Serbia është partneri strategjik i Rusisë dhe nuk do të vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë”, ka shkruar Stradner.

Stradner edhe më herët ka bërë disa paralajmërime për vizitën e zëvendëskryeministri serb Vulinit në Rusi pikërisht në kohën kur autoritetet serbe kanë paralajmëruar “kaos” në Kosovë.

“Vulini do të jetë në Moskë këtë javë për të takuar ministrin e jashtëm, Sergei Lavrov dhe sekretarin e Këshillit të Sigurisë, Sergei Shoigu… Qeveria e Serbisë ka paralajmëruar kaos në Kosovë. E ndërkohë… revista zyrtare e MPJ-së ruse vazhdon të flasë për një konflikt në Ballkan”, pati thënë ajo një javë para se të ndodhte takimi i sotëm.

Stradner ka paralajmëruar më herët gjatë javës së kaluar në një intervistë për programin e “Radios Evropa e Lirë” në gjuhën serbe se së shpejti pritet një “raund i dytë” i përshkallëzimit të tensioneve në Kosovë, posaçërisht në pjesën veriore të territorit kosovar që banohet kryesisht me serbë etnikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.