Dëshmitarët e Prokurorisë: Vila e Radoiçiqit nisi të ndërtohej në vitin 2021

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj 45 të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë, që kishte synim ‘aneksimin e veriut të Republikës së Kosovës’, një pjesë flitet edhe për vilën e sekuestruar të udhëheqësit të grupit terrorist serb, Milan Radojçiq.

Referuar dëshmive të disa dëshmitarëve, njëri prej tyre, deklaron se ‘në vilë ishte punësuar në vitin 2020 si murator për ndërtimin e vrazhdë të vilës’ dhe më tutje thotë se ‘se punët të cilat i ka kryer në këtë vilë kane qenë puna e vrazhdë e objektit sikurse muret, shkallët, ku ishte i angazhuar që nga punimet fillestare në këtë vilë që kishin filluar në vitin 2021”.

“Dëshmi apo prova të cilat vërtetojnë se i pandehuri Milan ishte pronar faktik i “RAD D.O.O.” janë deklarata e dëshmitarit (A.R) , i cili ishte marrë në pyetje me datë 16.02.2024, ku ka deklaruar se në fillim të vitit 2020 ishte punësuar si murator te kompania RAD, nga kjo kompani kishte qenë i angazhuar që të punoj tek Vila e Radoićićit dhe shton se punët të cilat i ka kryer në këtë vilë kane qenë puna e vrazhdë e objektit sikurse muret, shkallët, ku ishte i angazhuar që nga punimet fillestare në këtë vilë që kishin filluar në vitin 2021, ndërsa e vërteton se përgjegjës për ndërtimin e kësaj vile ka qenë Filip Avramovic”, thuhet në aktakuzë.

“Gjatë ekzekutimit të kontrollit në njërën prej pasurive të paluajtshme – Villa në Zubin Potok apo tek Liqeni i Ujmanit, zyrtarët policor kishin marrë në pyetje rojet e vilës tek liqeni i Ujmanit, ku me datë 29.09.2023 ishte marrë në pyetje Marko Sovrlic, i cili kishte deklaruar se punon pothuajse dy (2) vite si punëtor sigurimi në vilë, janë 4 roje, paguhet 500 euro në muaj, pagën e merr ndonjëri prej tyre në restorantin “Grey” në Mitrovicë, mendon se pronar i vilës është Bojan Jakšić, por thekson se ka dëgjuar se në të vërtetë, Milan Radoičić është pronar i këtij objekti”, thuhet veç tjerash në aktakuzë.

“Më datë 21.05.2024, në DHKEK-NJIHF është marrë përsëri në pyetje në cilësi të dëshmitarit Marko Sovrlic, në prezencë të përkthyeses së licencuar Valdete Kalaja, i cili ka deklaruar se së bashku me shokun e tij Darko kishin dëgjuar se është duke u ndërtuar një objekt, kishin shkuar për të kërkuar punë si punëtor fizik, herën e fundit që kishin shkuar ishte muaji Maj i vitit 2021 dhe e kishin takuar Milan Radoićić, fillimisht ishin përshëndetur me Milanin dhe kishin kërkuar punë si punëtor fizik, mirëpo Milani ju kishte thënë se nuk ka nevojë për punëtor fizik por vetëm për 4 punëtor roje pasi që objekti kishte nevojë për roje”, është deklarata e dëshmitarit tjetër.

“Më tej, dëshmitari ka deklaruar se detyrat ua kishte ndarë Milani, fillimisht i kishte udhëzuar që t’i ruajnë makineritë për ndërtim dhe materialin ndërtimor, kurse pagën prej 500 euro në para të gatshme ua kishte dhënë personalisht Milani, 2 herë të tjera kishte ndodhur që të shkoj në Kopaonik në hotelin “Grey” që ta marrë pagën për vete dhe kolegët, që më pas ua kishte shpërndarë kolegëve, ngjashëm kishte ndodhur që edhe kolegët tjerë të shkojnë në këtë hotel të marrin pagat dhe pastaj kolegët i kanë shpërndarë mes veti”, thuhet në aktakuzë.

“Me datë 22.05.2024 është marrë në pyetje për herën e dytë ky dëshmitar, i cili ka deklaruar se pagën në fillim e ka marr personalisht nga Milan Radoićić, më vonë e merrnin në hotel “Grey” në Kopaonik”, thuhet tutje në aktakuzë.

Ndërkohë, gjatë dëshmisë së saj, në lidhje me ndërtimin e kësaj vile është pyetur edhe Ema Rezepagic – Radojiçiq, ish-bashkëshortja e Milan Radojiçiq.

“Po ashtu, ka deklaruar se e di që Milani e ka ndërtuar Vilën tek Liqeni i Ujmanit, pas koronavirusit, nuk e di kush kanë qenë punëkryesit dhe nuk e di sa ka investuar në atë vilë. Më tej ka shtuar se Milani e ka përdorur vilën, ka shkuar me fëmijët ndoshta dhjetë herë dhe zakonisht kur Milani nuk ishte atje, ndërsa ka deklaruar se nuk e di sa është pasuria e ish bashkëshortit të saj – Milanit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.