Tërmkolli: Izolimi që Kurti i ka bërë Kosovës s’ka ndodhur as në kohën e Enver Hoxhës – duhet të jesh ahmak që të përplasesh me SHBA-të

Ish deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli ka folur për situatën politike në vend, çështjen e urës së Ibrit, deklaratat e kryeministrit Kurti për të, përplasjet e tij dhe presidentes Osmani, LDK-në e sotme e zgjedhjet e ardhshme.

Sa i përket hapjes së urës, ajo thotë se ura ka qenë e gatshme për hapje që nga viti 2017 dhe e drejta nuk na ka munguar, por që është një çështje më delikate.

“Së pari krejt kjo është pasojë e politikave shumë të gabuara të kryeministrit në raport me atë që e quajmë ndërkombëtarë, në veçanti me SHBA-të e shtetet e BE-së sepse po të ndiqej një rrugë më normale të bëhej politikë, sigurisht që s’do të kishte nevojë të diskutohej kjo temë siç po e bëjmë tani. Ura e Ibrit ka qenë e gatshme që nga 2017-ta, nuk është se tash u bë e gatshme, Kosova e ka pasur të drejtën ta hapë që nga 99 dhe gjithherë, nuk është se tani dikujt i paska rënë ndërmend se kemi të drejtë ta hapim urën, por që të gjithë e dimë që është një çështje pak më delikate, sikur edhe çështje tjera që ndërlidhen me veriun e për të cilat ka gabime të mëdha, kush më pak e kush më pak, e për të cilin duhet një koordinim i mirëfilltë me miqtë tanë, kur ka munguar kjo ne i kemi parë pasojat”, thotë ajo.

Tërmkolli thotë se Kurti pati një fryrje duke thënë se do ta hapë urën, ndërsa tani thotë se po pret KFOR-in e QUINT-in, derisa këto i quan mashtrim të opinionit dhe deklaratë të papërgjegjshme.

“E kemi parë një fryrje të madhe të kryeministrit “do ta hap urën, do ta hap urën”, pavarësisht asaj se çfarë thonë aleatët dhe tash e kemi pa së fundmi edhe qëndrimin e tij se qeveria është e gatshme ndër që është duke pritur QUINT-in dhe KFOR-in. Kjo është deklaratë e papërgjegjshme, e papjekur politikisht, një kryeministër nuk guxon të bëjë këso deklarata, së pari kjo është mashtrim i opinionit, sepse nga hapja po del që paska disa probleme dhe së dyti është çështje që Kosova duhet të jetë e përfshirë dhe jo e ndarë edhe nga QUINT-i edhe nga KFOR-i dhe aleatët, nuk është se tani ne i paskemi kryer disa punë dhe tani vendimi është i dikujt tjetër, këto vendime merren bashkërisht”, vlerëson ajo.

Ish deputetja potencon se Kurti është përplasur me SHBA-të, një gjë që ka ndodhur për herë të pari në politikën shqiptare, teksa shton se izolimi që i ka sjellë Kosovës nuk ka ndodhur as në kohën e Enver Hoxhës.

“Prandaj, Kurti nuk e ka kultivuar kurrë një politikë të tillë, të bashkëpunimit në radhë të parë e pastaj edhe të bashkërendimit të veprimeve politike për të cilat duhet bashkëpunim dhe bashkërendim. Ne sikur po harrojmë që këto përrallat që po i shet kryeministri vend e pa vend, natyrisht që të gjithë jemi për sovranitet të plotë, por ky kryeministër duke u konfrontuar me SHBA-të, për herë të parë në politikën e Kosovës dhe në historinë shqiptare, edhe me aleatët tjerë, e ka sjellë situatën në një qorrsokak, e ka sjellë situatën e izolimit të Kosovës, që as në kohën e Enver Hoxhës nuk ka ndodhur kështu sepse kur kemi parasysh rrethanat kohore, del se në këto politika ia ka kaluar edhe Enver Hoxhës. E ka sjellë Kosovën sot në shekullin XXI në një izolim të tillë të padenjë e të papërfillshëm nga krejt bota demokratike, kjo është shumë e rëndë për Kosovën dhe duhet ditur që atë sovranitet e mbron SHBA-ja. Kushdo që mendon ndryshe dhe i sjell çështjet ndryshe është gabim”, shton Tërmkolli.

Sipas saj, duhet të jesh shumë ahkmak që të kesh sjellje të tilla që të futesh në përplasje me SHBA-të, që e garantojnë dhe mbrojnë sovranitetin e vendit.

“Sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës e mbron dhe garanton SHBA-ja dhe të futesh në përplasje me SHBA-të si garantuese e këtij sovraniteti, kjo është më keq se ajo që e kam quajtur që nga fillimi i Kurtit 1, ma keq se ahmaki, duhet me qenë fort ahmak, për t’u sjellë kështu”, deklaron Melihate Tërmkolli.

Leave a Reply

Your email address will not be published.