Në takimin e sotëm në Bruksel që u mbajt mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit, atij serb, Petar Petkoviq dhe emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në takimin mori pjesë edhe ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Tom Goffus dhe komandanti i Operacioneve Civile në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së, Sefano Tomat.
Goffus në takimet e ndara që pati Lajçaku me Bislimin e Petkoviqin, foli për situatën e sigurisë në Kosovë, ku sipas NATO-s, i njëjti adresoi edhe shqetësimet e sigurisë në lidhje me hapjen e mundshme të Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.
“Z. Goffus theksoi nevojën për një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Ai vuri në dukje se vendimet duhet të merren përmes dialogut, në kohë dhe koordinim efektiv me komunitetin ndërkombëtar dhe në mënyrë që të mos rrezikohet siguria e komuniteteve lokale apo e trupave të NATO-s. Ai shtoi se misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO është i detyruar nga mandati i tij i OKB-së për të adresuar çdo shqetësim të sigurisë dhe për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt”, tha KFOR-i.
Tutje, bëhet e ditur se në takime, Goffus përsëriti mbështetjen e plotë të NATO-s për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për normalizimin e marrëdhënieve në mes Beogradit e Prishtinës.
“Kjo është korniza për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, e cila është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha KFOR-i.
Gjatë ditës ka pasur raportime se çështja e hapjes së Urës së Ibrit do të diskutohet në NATO.