S’pati takim formal Kurti-Luhrmann, deklarohet Ambasada Gjermane: Ministrja dha mesazhe të qarta

Mes tensionesh në raportin Berlin-Prishtinë për shkak të zhvillimeve lidhur me CEFTA-ne e Procesin e Berlinit, Kosovën e ka vizituar ministrja gjermane për Evropë, Anna Luhrmann. Luhrmann përgjatë kësaj vizite është kujdesur për të dhënë mesazhe të qarta për lidershipin vendor, që Kosova s’duhet të jetë bllokuese sa i përket bashkëpunimit rajonal në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Luhrman ka kërkuar zgjidhje nga pala e Kosovës.

Ndonëse s’ka pasur një takim formal me kryeministrin Albin Kurti, nga Ambasada Gjermane në Prishtinë kanë thënë se ministrja gjermane ia ka përcjellë mesazhet kryeministrit Albin Kurti për tema të ndryshme dhe për ato që kërkojnë zgjidhje gjatë një bisede të shkurtër që kanë pasur përgjatë ceremonisë së “Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kosovës”.

“Është e vërtetë që nuk ka pasur asnjë takim zyrtar mes Ministres së Shtetit, Anna Lührmann, dhe Kryeministrit të Kosovës. Megjithatë, të dy u takuan në ceremoninë e hapjes së Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë dhe e shfrytëzuan këtë mundësi për një shkëmbim të shkurtër fjalësh për disa tema – duke përfshirë ato për të cilat duhen gjetur zgjidhje”, ka thënë zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, Christian Bottcher.

Ndryshe prej Kurtit, ministrja gjermane Luhrmann ka zhvilluar një takim formal me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Siç ka bërë të ditur Zyra për Media e Presidencës, në takimin e 16 shtatorit, Osmani dhe Lührmann kanë folur për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, rëndësinë e bashkëpunimit Kosovë-Gjermani, si dhe mbështetjen gjermane për integrimin euroatlantik të Kosovës.

Kjo vizitë e anëtares së Qeverisë Federale të Gjermanisë ka ardhur pas dy vizitave që emisari special, Manuel Sarrazin, kishte zhvilluar në Kosovë me qëllim të bindjes së Qeverisë së Kosovës për të pranuar ofertën gjermane për zëvendësimin e UNMIK-ut me Kosovën në CEFTA dhe në anën tjetër që Kosova të heq masën e sigurisë për mallrat e Serbisë që futen brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Ndonëse pa sukses për të bindur Kurtin, Sarrazin dhe Qeveria gjermane kanë paralajmëruar se do të gjendet rrugë përpara edhe pa Kosovën, nëse Qeveria në Prishtinë do të vazhdojë bllokimin.

 “Natyrisht, politika e ftesave e Procesit të Berlinit nuk do të ndryshojë dhe ne shpresojmë që Kosova të vazhdojë të marrë pjesë. Megjithatë, nëse Kosova vazhdon të bllokojë çdo përparim të mëtejshëm në Tregun e Përbashkët Rajonal, ne do të gjejmë një mënyrë për të vazhduar këtu pa Kosovën”, ka thënë të mërkurën Christian Bottcher, zëdhënësi i Ambasadës Gjermane në Prishtinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.