Një ditë pas shkarkimit të zëvendësministrit për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq shefi i tij, ministri Nenad Rashiq ka thirr konferencë për media për të treguar arsyet që çuan në këtë vendim.
Tha se shkaku kryesor është se kishte dyshime që Radomiroviq u përfshi në aktivitete në veri e se informacionet i mori nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“Në përputhje edhe me performancën shumë të dobët që kam vërejtur, kam biseduar me Radomiroviqin rreth dy-tri javë më parë dhe i kam kërkuar të japë dorëheqje, sepse në përgjithësi nuk jam i kënaqur me punën e tij. Fatkeqësisht, ai e ka marrë pak në mënyrë dramatike dhe bëri ato lëvizje që kanë qenë, si largimi nga partia, prandaj u detyrova të kërkojë nga kryeministri që të zëvendësohet Radomiroviqi,” tha ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
I pyetur se për çfarë dyshime bëhet fjalë, Rashiq nuk ka dhënë shumë detaje pos që konfirmoi se për disa veprime, Radomiroviq edhe po hetohet.
“Radomiroviq asnjëherë s’ka mundur ta kalojë kontrollin e sigurisë, po ashtu ai ka postuar në llogarinë e tij në Facebook ato llogari të kohës së Listës Serbe ku është vërtetuar qartë se çfarë përvetësimesh janë bërë në periudhën e kaluar. Disa prej veprimeve po hetohen. Nëse do të thoja diçka më shumë do të spekuloja por ne si ministri kemi disa indikacione dhe jemi duke punuar me to,” shtoi Rashiq
Por, zëvendësministri i shkarkuar, në një përgjigje tha se beson që arsyeja e shkarkimit të tij lidhet me diçka tjetër.
“Rashiqi ka kërkuar shkarkimin tim pasi që kam kërkuar të kem ballafaqim me të se pse nuk u jepen paratë qytetarëve të veriut të Kosovës. Rashiq ka marrë qindra-mijëra euro nga Ministria,” deklaroi ish-zëvendës ministri, Radoica Radomiroviq.
Në konferencën për media po ashtu është konfirmuar nga Nenad Rashiq që tashmë ish zv.ministri ka qenë pjesë edhe e Ushtrisë së Serbisë në periudhën e luftës në Kosovë.