Sulmi në Banjskë, KFOR: Reagimi efektiv i Policisë parandaloi përshkallëzimin, ne ishim gati

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup paramilitar i armatosur serb, në krye me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, tashmë terroristin Millan Radoiçiq, ndërmorën një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Në këtë sulm, i vrarë mbeti rreshteri policor, Heroi Afrim Bunjaku, dhe një koleg i tij u plagos.

Në mesin e terroristëve, që u raportua të kishin qenë rreth 90, 3 nga ta mbetën të vrarë nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Mirëpo një deklaratë e bërë mbrëmë nga zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, në një televizion privat në vend, kur po flisnin për sulmin e Banjskës, ka habitur edhe panelistët e emisionit “Context”.

“Sikur të ishim bazuar ne në vullnetin e ndonjë komandanti aty të trupave të KFOR-it, me siguri se do të kishim qenë duke negociuar se ku po e lëmë kufirin – në Vushtrri, Mitrovicë apo diku tjetër. Mirëpo, ka qenë gjaku i Afrim Bunjakut dhe sakrifica dhe vetëmohimi i kolegëve të tij, dhe jo i ushtarëve të NATO-s të pranishëm që kanë qenë aty”, ka thënë Vokrri.

Klankosova.tv ka dërguar pyetje te misioni paqeruajtës i KFOR-it në lidhje me qëndrimin e tyre mbi këtë deklaratë.

Një zëdhënës i misionit ka thënë se qëndrimi i tyre për ngjarjet e Banjskës vjeshtën e vitit të kaluar është publik dhe transparent, e madje edhe konsistent vazhdimisht.

“Ajo që ndodhi në Banjskë ishte e papranueshme dhe ne vazhdomë të bëjmë thirrje që kryerësit të sillen para drejtësisë”.

Ngjarjet në Banjskë, sipas zëdhënësit të KFOR-it, dëshmuan një bashkëpunim shumë të mirë mes Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it si reagues të parë, të dytë dhe të tretë, respektivisht.

“Policia e Kosovës ishte reaguesi i menjëhershëm në terren, ndërsa KFOR-i dhe EULEX-i ishin të pranishëm dhe të gatshëm për të ofruar mbështetje, nëse kërkohej. Reagimi efektiv i Policisë së Kosovës parandaloi çdo përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës dhe ndihmoi në stabilizimin e shpejtë të situatës në zonë”, ka thënë ky zëdhënës i KFOR-it.

Ai tha se si pasojë e ngjarjeve të vitit të kaluar në veri, KFOR-i thotë se rriti praninë e tij në Kosovë me rreth 1,000 trupa shtesë nga rezervat.

“Ne kemi katërfishuar praninë tonë në veri dhe kemi trefishuar patrullimet, duke përfshirë edhe përgjatë” vijës kufitare.

“Ata ishin hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat, aftësitë dhe fleksibilitetin për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tij të OKB-së në mënyrë efektive, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.

“Ky ka qenë edhe përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen”, potencoi ky zëdhënës i KFOR-it.

Kujtojmë se Millan Radoiçiq, bashkë me grupin e tij terrorist, pas agresionit në Banjskë ia mësynë Serbisë më këmbë. Ndaj Radoiçiqit ende nuk ka aktakuzë të ngritur në Serbi, ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës tashmë ka ngritur aktakuzë ndaj tij dhe 44 të tjerëve të dyshuar si të përfshirë në këtë sulm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.