Në një takim konsultativ me partitë politike, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, 18 dhjetorin e dha si datë të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore. Në këtë takim, Lista Serbe nuk mori pjesë, njëjtë siç ka vendosur të mos marrë pjesë edhe në zgjedhje. Për t’i bojkotuar zgjedhjet, u është bërë thirrje edhe qytetarëve serbë, të cilët jo rrallëherë u janë bindur urdhrave të Beogradit. Por a janë të vlefshme zgjedhjet nëse nuk merr pjesë komuniteti serb?
Më 18 dhjetor pritet të mbahen zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Srpska, ka thënë se nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje, derisa qytetarëve serbë u është bërë thirrje për bojkot.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se këto zgjedhje janë të destinuara për të dështuar.
“Kjo është edhe një dëshmi se Prishtina asnjëherë nuk ka dashur bashkëpunim institucional me serbët e Kosovës, por, përkundrazi, është munduar të zbatojë dhe rrumbullakojë idenë e saj për Shqipërinë e madhe dhe t’i dëbojë serbët nga vatrat e tyre shekullore”, tha dje Petkoviq.
Ndërsa nga Lista Srpska kanë thënë se në këto zgjedhje nuk do të marrin pjesë qytetarët që i “mbështësin” ata.
“Duke marrë parasysh vendimin e Prishtinës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, dëshirojmë të informojmë opinionin se Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe as qytetarët që mbështesin partinë tonë”, thuhet në njoftimin e Listës Srpska në Facebook.
Mirëpo, nëse qytetarët serbë vendosin të mos e shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë, ekziston rreziku që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mos pranohen nga partnerët ndërkombëtarë.
Kështu tha juristi Ehat Miftaraj, i cili përmendi aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese për kalimin e mandatit nga Ardijana Hodzic te Duda Balje. Duke u mbështetur në këtë rast, juristi thotë se nëse serbët nuk dalin në zgjedhje, atëherë kontestohet legjitimiteti i zgjedhjeve në veri.
“Në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet nacionale, ku ka vendos në bazë të ankesave të partive të komuniteteve jo shumicë, që iu ka marr mandati Adriana Hoxhiq dhe i është dhënë mandati partive boshnjake, lë për të nënkuptuar që në mënyrë që zgjedhjet në veri të kenë legjitimitet dhe të pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve të pjesës veriore në Kosovë, atëherë mungesa ose mospjesëmarrja e qytetarëve serbë në votime në një far mënyre e konteston legjitimitetin e zgjedhjeve në veri. Në bazë të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese vullneti i qytetarëve duhet të shprehet përmes votës në mënyrë që institucionet të kenë legjitimitet dhe të përfaqësojnë interesat e të njëjtëve”, tha Miftaraj.
Ai foli edhe rreth asaj që nuk ka ndonjë prag të caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shpalljen e zgjedhjeve valide, gjë që sipas tij nuk e zbeh vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk ekziston prag në zgjedhjet komunale, por prapë kjo nuk e zbeh vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku jep një rëndësi të veçantë legjitimitetit në mënyrë që zgjedhjet të jenë të pranueshme si nga populli ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë”, deklaroi Miftaraj për Gazetën Express.
“Vet fakti që kemi disa dhjetëra-mijëra qytetarë të veriut, serbë, shqiptarë dhe komunitete tjera, dhe nëse në këto zgjedhje marrin pjesë një përqindje e papërfillshme atëherë vështirë se mund të pranohen nga komuniteti ndërkombëtar se janë të drejta dhe përfaqësojnë interesat e qytetarëve në pjesën veriore”, u shpreh Miftaraj.