Lirohet nga paraburgimi politikani serb, Arsenijeviq

Lideri i partisë Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, është liruar nga paraburgimi të enjten, një ditë pasi gjykata kishte urdhëruar mbajtjen e tij në paraburgim për 48 orë si i dyshuar për veprën penale “ngacmim”.

Gjykata ia ka ndaluar Arsenijeviqit t’i afrohet më shumë se 40 metra Visar Sylës, shefit të stafit të kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, për një muaj, njoftoi për Radion Evropa e Lirë avokatja e tij, Jelena Krivokapiq.

Krivokapiq është shprehur e pakënaqur me vendimin e gjykatës, sepse beson se klienti i saj nuk e rrezikon askënd dhe paralajmëroi se do të bëjë ankesë.

Arsenijeviq e postoi një video në llogarinë e vet në Facebook ku njoftoi se është liruar, duke thënë se “më ndaluan dhe mbajtën nën akuza të rreme”.

“Nëse mendojnë se do të më disiplinojnë, jini të sigurt se nuk do ta bëjnë”, tha ai

Qindra qytetarë dhe aktivistë protestën të enjten më herët në Mitrovicë të Veriut kundër arrestimit të Arsenijeviqit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, i tha më herët Radios Evropa e Lirë se Arsenijeviq ishte arrestuar me urdhër të Prokurorisë, në bazë të raportimit të Visar Sylës, shefit të kabinetit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published.