Kryeministri I Kosovës, Albin Kurti në adresimin e tij në sesionin e dytë të Samitit të Procesit të Berlinit rreth Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, Energjinë dhe Lidhshmërinë ka folur edhe për mungesën e fluturimeve komerciale nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas.
“25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, hapësira ajrore e Serbisë mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt apo nga Kosova. Kjo nuk shërben pozitivisht as për marrëdhënie fqinjësore, as për adaptimin klimatik”, ka thënë Kurti.
Tutje Kurti ka folur për ndryshimet klimatike, strategjinë e Kosovës për energjinë.
Adresimi i plotë
1. Jemi duke hyrë në një fazë kritike dhe të paparashikueshme të krizës klimatike në nivel global. Vetëm këtë vit, Kosova ka shënuar verën më të nxehtë ndonjëherë, me një rritje në thatësira dhe mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm. Jemi të përkushtuar ndaj politikave që sigurojnë tranzicion të drejtë kah një e ardhme e qëndrueshme.
2. Strategjia jonë gjithëpërfshirëse e energjisë nënvizon qëllimin tonë që të bëhemi neutral ndaj karbonit (Carbon Neutral) deri në vitin 2050. Ky zotim mbështetet nga ligjet tona të reja mbi Ndryshimet Klimatike dhe Burimet e Energjisë së Ripërtëritshme, të cilat ofrojnë bazat për një politikë afatgjatë klimatike. Vitin e kaluar, kemi lansuar një pako investive të burimeve të ripërtëritshme prej 950 MË, duke përfshirë projekte konkurruese për kapacitete gjenerimi të energjisë dhe të ruajtjes së saj. Projekte të ardhshme, si ai i parkut të erës me kapacitet 150MË dhe parkut diellor me kapacitet 100MË, nënvizojnë përpjekjet tona për të diversifikuar burimet e energjisë dhe reduktuar emetimet.
3. Ndonëse kemi rezervat e pesta më të mëdha në botë të linjitit, kemi vendosur një objektiv të qartë për të reduktuar emetimet tona të gazrave serrë prej 36% deri në vitin 2030 dhe për t’i mbajtur rezervat nëntokë. Mbetemi të përkushtuar ndaj tranzicionit të gjelbër, edhe pse nuk jemi palë në Marrëveshjen e Parisit. Ndryshimi klimatik po na ndikon tashmë edhe ne dhe nevoja për mbështetje është urgjente. Sipas Bankës Botërore, përpjekjet tona për qëndrueshmëri klimatike kërkojnë investime në vlerën prej 2.8 miliardë euro, kryesisht për infrastruktura të adaptimit për të lehtësuar rreziqe si përmbytjet, thatësirat dhe mungesën e ujit. Vetëm vitin e kaluar, dëmet e lidhura me klimën kanë arritur në vlerën prej 28.9 milionë euro, duke ndikuar te 21,500 njerëz.
4. Pavarësisht përpjekjeve tona, vazhdojmë të jemi të përjashtuar nga mekanizma kyçe dhe shumëpalëshe për financimin klimatik. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj synimeve tona për zbutur rreziqet, por kemi nevojë për qasje në financimet klimatike botërore për të mbështetur tranzicionin tonë.
5. Investimet substanciale janë të domosdoshme për tranzicionin e energjisë, menaxhimin e mbeturinave dhe dekarbonizimin e transportit, të cilat do të kërkojnë përafërsisht 6 miliardë euro.
6. Digjitalizimi mundëson tranzicionin e gjelbër dhe jemi vendi me digjitalizimin më të shpejtë në rajonin tonë. Mbi 70% e kompanive të sektorit të teknologjisë eksportojnë shërbimet e veta dhe kemi 100% qasje në rrjet me brez të gjerë.
7. 25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, hapësira ajrore e Serbisë mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt apo nga Kosova. Kjo nuk shërben pozitivisht as për marrëdhënie fqinjësore, as për adaptimin klimatik.
Përkushtimi ynë ndaj rritjes së qëndrueshme dhe qëndrueshmërisë klimatike është i qartë. Megjithatë, qasja në financimin klimatik është vendimtare për arritjen e këtyre synimeve ambicioze. Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor duhet të na ndihmojë për të ecur drejt një tranzicioni të drejtë.