Deputetja e PDK-së: Ku është Albini me cubat e tij? Me siguri duke vjedhur

“I shihni Albinin dhe cubat e tij që sot mungojnë këtu, sigurisht që janë duke bërë plane se si të vazhdojnë si të vjedhin”.

Kështu e ka nisur fjalim e saj deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku u diskutua për problemin e furnizimit me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Si është mundur që FSK-ja të përballet me mungesa bazike, pa armë, pa bukë dhe pa paga të arsyeshme”, ka pyetur ajo.

Tutje, teksa ka folur për telashet me ushqim që po ballafaqohen ushtarët e FSK-së, ajo ka adresuar kritika për këtë çështje për kryeministrit Albin Kurti.

“Albin Kurti përmes një kontrate njëburimore ka siguruar ushqim për qentë e ushtrisë dhe jo për ushtarët, unë dhe të gjithë ju pajtohemi që nuk është normale”, ka shtuar deputetja e PDK-së.

Sipas saj, ushqimi cilësor dhe çështja e të ushqyerit nuk është vetëm që ta shuajë urinë ushtari i FSK-së, derisa ka potencuar se “është thelbësore për shëndetin dhe motivimin e ushtarëve për t’u përballur me situata të ndryshme”.

“Ushtarët tanë kanë ushqim pa proteina dhe kalori. Shujtën ditore ushtareve tanë ua përgatitë personi që nuk ka certifikatë të sigurisë. Ushtari i Kosovës ka uniformë dhe çizme të grisura. Ushtarit të Kosovës nuk i paguhen orët shtesë, ushtarët nuk kanë sigurim shëndetësor”, theksoi ajo.

Ndryshe në Kuvend këtë të hënë është diskutuar nga deputetët e opozitës për problemin e furnizimit me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Por, për shkak të mungesës së kuorumit, seanca e Kuvendit u ndërpre, për të vazhduar në një datë tjetër.

Në seancë kanë munguar deputetët e pushtetit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar “raport të detajuar” rreth shqetësimeve të ngritura për mënyrën e ushqyerjes së ushtarëve të FSK-së.

Ajo ka takuar në fundjavë komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për të diskutuar çështjen e furnizimit me shujta ushqimore.

Ministri Maqedonci ka theksuar se janë bërë përpjekje për të siguruar furnizimet ushqimore për FSK-në, duke garantuar që personali do të marrë shërbime cilësore.

Komandanti i FSK-së, nga ana tjetër, ka alarmuar “pasoja” për ushtarët për shkak të ushqimit në FSK.

Leave a Reply

Your email address will not be published.