Rrugët e molekulave dhe rrugët e mjekimit, bisedë me Nobelistin Randy Schekman

Randy Schekman Nobel prize 2013 Physiology

Siç ndodh rëndom, ju ndiqni një rrugë përmes së cilës synoni të arrini tek destinacioni i kërkuar.

Ja që ngjet nganjëherë që ajo rrugë të degdiset, dhe t’ju paraqesë një mori destinacionesh të tjera shumë më të rëndësishme, e për të cilat ndoshta as që keni mundur të imagjinoni.

Kështu ka ngjarë me Randy Schekmanin, biologun amerikan i cili e ka ndjekur rrugën se “si proteinat sekretohen dhe transportohen në qelizat njerëzore”, dhe me të mbërritur në atë destinacion, ai dhe të tjerët kanë vënë re shumë kthesa të tjera, të cilat janë rrugë në vetvete për të hulumtuar më tutje mbi fiziologjinë dhe mjekësinë.

Më 2013, Schekmani bashkë me James Rothmanin dhe Thomas Südhofin u shpërblyen me çmimin Nobel në Mjekësi ose Fiziologji për punën e tyre në lidhje me transportin e vezikulave në qelizë, më konkretisht për zbulimin e makinerisë që e kontrollon trafikun e vezikulave, e që është një sistem kyç i transportit qelizor.

Në faqen e Universitetit të Kalifornisë Berkli, thuhet që “zbulimet nga Schekmani mbi atë se si maja sekreton proteina kanë çuar direkt në suksesin e industrisë së bioteknologjisë, pasi që ka mundësuar detyrimin e majasë të lëshojë ilaçe të dobishme proteinike, siç është insulina dhe hormoni i rritjes njerëzore. Hulumtimi i tre shkencëtarëve mbi transportimin e proteinave në qeliza, dhe se si qelizat e kontrollojnë këtë trafikim për të sekretuar hormone dhe enzima, e kanë ndriçuar funksionimin e një procesi themelor në fiziologjinë e qelizës”.

Ai thotë se kur e ka nisur këtë hulumtim, nuk e ka menduar impaktin që një zbulim i tillë mund ta kishte në mjekësi, gjegjësisht në nisjen e rrugëtimeve të tjera – dhe nga të tjerët – në të kuptuarit dhe mjekimin e një sërë sëmundjesh duke u mbështetur në njohuritë që kanë rrjedhur nga këto zbulime.

Si rezultat, informatat mbi atë se si vezikulat transportojnë molekula po ashtu mund të shfrytëzohen në krijimin e ilaçeve efektive të cilat targetojnë qeliza apo inde të posaçme, si dhe mund të kontribuojnë në zhvillimin e terapisë me gjene.

Schekmani na flet për punët e lavdishme dhe vazhdimësinë e këtyre hulumtimeve në laboratorin që mban mbiemrin e tij, mirëpo edhe për njërin prej shqetësimeve për të cilin ai e ka ngritur zërin – ai i qasjes së hapur në botimet shkencore.

Kontributin prej biologu në mjekësi e bën ndoshta edhe më prekës fakti që ai e kishte humbur motrën nga leukemia, nënën nga tumori në tru si dhe gruan nga Parkinsoni, kur e bëni mend që vetë këto sëmundje mund të njihen dhe potencialisht të mjekohen më mirë falë zbulimeve të këtilla.

Me të pra do të flasim edhe për bekimet e humbjet e tij në jetën personale, për punët e Laboratorit Schekman, si dhe për kontributin në qasjen e hapur dhe falas në botimet shkencore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.