Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se pa normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka anëtarësim në BE.
“Pritjet tona janë që palët që duan të bisedojnë me njëra-tjetrën të kenë vullnet politik për të bërë progres. Sepse, për momentin, nuk ka shumë përparim në dialog. Unë e di që ka zgjedhje, por ne gjithmonë kemi zgjedhje diku. Për qytetarët e rajonit, e veçanërisht për ata nga Kosova apo Serbia, është e rëndësishme që të ketë progres, të ecim përpara”, tha Rohde.
Ai shtoi se është i sigurt se Lajçak dhe ekipi i ri nën Komisionin Evropian do të duan përparim.
“Në fund, qëllimi përfundimtar është anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në BE. Të gjithë e dinë se kjo mund të arrihet vetëm nëse kemi normalizim të marrëdhënieve. Pa normalizim nuk ka anëtarësim në BE”, theksoi ambasadori gjerman për Kosovën.