Quni për bisedat Mihali-Krasniqi e Kusari-Simiq: Organet e drejtësisë të merren me to

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka kritikuar qeverinë Kurti për bisedat që u publikuan së fundi, ajo e Dejona Mihalit me Nagip Krasniqin dhe e Kusari Lilës me Simiqin.

Quni ka thënë se këto aktivitete i sjellin rreziqe të mëdha Kosovës dhe duhet të ndërpriten, teksa ka shtuar se organet e drejtësisë duhet të merren me to.

“Disa personalitete të VV-së po mundohen të mbrojnë diçka që nuk mund të mbrohet. Do të ishte shumë e ndershme që të gjithë akterët që janë të përfshirë në përgjime, që menjëherë t’i ndërpresin këto aktivitete, pasi janë aktivitete që Kosovës i sjellin rreziqe shumë të mëdha. Pres që ndërgjegjja e tyre të jetë në nivel të duhur dhe t’i jepet mundësi edhe organeve të drejtësisë të merret me këto çështje”, është shprehur Quni.

Ai ka kujtuar se në të kaluarën kur ka pasur bashkëpunim institucional me Listën Serbe, janë quajtur akte tradhtie, ndërsa sot bëhen larg opinionit dhe pa transparencë.

“Ju e dini se kur ka ekzistuar komunikimi institucional në koalicione, formacione të ndryshme, se si janë etiketuar këto bashkëpunime institucionale si akt tradhtie, ndërsa tani janë bashkëpunime larg opinionit dhe pa transparencë dhe aranazhime për të cilat do të duhej organet e drejtësisë ta kenë agjendë si top prioritet”, deklaroi deputeti i LDK-së.

Sa i përket Dejona Mihalit, ai thotë se ekziston një strukturë paralele që i merr vendimet para asaj institucionale dhe nuk i jep llogari askujt.

“Ekziston një strukturë paralele krahas asaj institucionale, d.m.th vendimmarrja institucionale është sekondare sepse primare është një vendimmarrje paralele e cila nuk i jep llogari dhe përgjegjësi askujt, më së paku qytetarëve”, thotë deputeti Anton Quni.

Leave a Reply

Your email address will not be published.