Deputeti gjerman kërkon përgjegjësi për sulmin në Banjska

Deputeti gjerman dhe raportuesi për Kosovën në Bundestag, Thomas Hacker, kërkon që përgjegjësit e sulmit të 24-shtatorit në Banjskë të Zveçanit të dalin para drejtësisë. Ai thotë se pikërisht për këtë çështje së bashku me një delegacion gjerman do të flasin me Aleksandar Vuçiqin në Beograd.

Deputeti gjerman dhe raportuesi për Kosovën në Bundestag, Thomas Hacker, kërkon përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku edhe mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi – Afrim Bunjaku.

Hacker thotë se për këtë çështje së bashku më një delegacion gjerman do ta diskutojnë në Beograd kur ta takojnë të parin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Diplomati gjerman vlerëson si të papranueshëm faktin që autorët e atij sulmi nuk po përballen me drejtësinë.

Tutje ai thotë se është pak e besueshme që presidenti i Serbisë nuk ka ditur asgjë për atë operacion.

“Delegacioni ynë do të flas për këtë çështje kur do të udhëtojmë për në Beograd. Fatmirësisht sulmi në Banjska nuk ishte edhe aq shpërthyes sa ishte menduar në fillim sepse kosovarët e menaxhuan mirë situatën. Pas asaj çfarë ndodhi në Banjska, presidenti Vuçiq premtoi se do t’i ndjek ata që ishin përgjegjës. Njëri nga përgjegjësit mbajti një natë burg dhe doli pastaj. Ne e kemi përsëritur vazhdimisht se Serbia duhet ta hetoj këtë rast edhe nëse këtu ka përfshirje të njerëzve të afërt më partinë e Vuçiqit. Është me të vërtetë e vështirë të besohet nga jashtë që ai nuk ka ditur asgjë për sulmin në Banjska duke pasur parasysh fuqinë dhe kontrollin që Vuçiq ka në Serbi”, tha Hacker.

Deputeti i Bundestagut gjerman, kërkon një dinamikë të re edhe në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai shprehet kritik për formën se si e ka ndërmjetësuar deri më tani këtë proces diplomati sllovak, Miroslav Lajçak.

Leave a Reply

Your email address will not be published.