Bislimi flet pas takimit me Petkoviqin

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se takimi mes tij dhe homologut të vet serb, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, përfundoi pa “asnjë rezultat në temat e rëndësishme” të enjten në Bruksel.

Takimi trepalësh nisi të enjten pasdite, pas takimeve dypalëshe që i dërguari i bllokut Mirosllav Lajçak mbajti me përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht, për gjetjen e mënyrave për zbatimin e marrëveshjeve të kaluar në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Jemi dakorduar të themelojmë një grup punues i cili do të harmonizojë 20 certifikata veterinere të cilat përdoren në kalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë dhe poashtu që të kërkohet që trupat e inspektoratit sanitar të vendosën në mënyrë të përhershme në pikën kufitare në Dheun e Bardhë”, tha Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se Kosova do ta zbatojë në tërësi marrëveshjen bazike të Brukselit ku përfshihet edhe formimi i Asociacionit në momentin që ka zotim për zbatim të plotë të kësaj marrëveshje.

Këto deklarime ai i ka bërë pas takimit në tre palësh në Bruksel me të dërguarin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin serb Petkoviq.

I pyetur nëse ka pas presion për formimin e Asociacionit ai ka thënë se për këtë duhet të plotësohen disa kushte duke përmendur zotimin për zbatimin e marrëveshjes.

“Ne kemi bërë të qartë që në atë moment që ka dakoordim për zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike, Kosova nuk i ikë asnjërit prej obligimeve të saj. Kosova zotohet se e zbaton marrëveshjen në tërësi ashtu siç ka treguar gatishmëri për nënshkrim në Ohër”, ka thënë Bislimi pas takimit në Bruksel.

Leave a Reply

Your email address will not be published.