Sulmi ndaj kryetarit të Pejës, krejt çka dihet deri më tani

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, është sulmuar fizikisht të shtunën në mëngjes nga dy persona. Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. 

Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova. Ai konfirmoi se janë arrestuar dy të dyshuarit për sulm.

“Sot rreth orës 08:50, në rrugen Bill Klinton, është sulmuar nga dy persona të dyshuar Kryetari i Komunës së Pejës i cili ka pësuar lendime trupore, të dyshuarit janë arrestuar. Me urdhër të Prokurorit të shtetit të dyshuarit ndalohen për 48-orë”, ka thënë Rugova.

Për sulmin ndaj Muhaxherit dha detaje edhe Prokuroria Themelore e Pejës.

Zëdhënësi i Prokurorisë për rajonin e Pejës, Shkodran Nikçi, konfirmoi se dy personat që dyshohet se sulmuan fizikisht Muhaxherin, janë ndaluar për 48 orë.

Ai tha se në koordinim të plotë me Policinë po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.

“Dy persona janë ndaluar për 48 orë për shkak se kanë sulmuar Kryetarin e Komunës së Pejës dhe i kanë shkaktuar lëndime trupore. Të njëjtit janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe janë ndaluar për 48 orë nga prokurori i shtetit. Gjithashtu janë duke u marrë të gjithë veprimet e nevojshme në koordinim me Policinë e Kosovës për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Nikçi.

Pas konfirmimeve nga Policia e Prokuroria për sulmin fizik që ndodhi, reagoi pas disa orësh vet kryetari Gazmend Muhaxheri përmes një postimi në Facebook ku tha se është shëndoshë e mirë.

Ai ka publikuar një foto ku shihet mes familjarëve e miqve.

“I rrethuar mes miqëve. Pas sulmit te befasishëm, jam shëndoshë e mirë. Ju falenderoj të gjithëve për interesimin”, ka shkruar ai.

Dukagjin Kërveshi, avokat i Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit, ka dhënë detaje lidhur me sulmin që i ndodhi këtij të fundit.

Kërveshi ka thënë se Muhaxheri kishte duke pirë kafe me një familjar të tij dhe se në largim e sipër është sulmuar nga dy persona.

Sipas Kërveshit, Muhaxheri ka deklaruar në Polici se beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare.

“Në cilësinë e avokatit të Kryetarit të Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, njoftoj opinionin se sot rreth orës 8:40 në qytetin e Pejës në vendin e njohur si “Qendra Zejtare” pasi i njejti kishte pirë kafe me një familjar të tij, në largim e sipër, kryetari Muhaxheri ishte sulmuar nga dy persona fillimisht të panjohur. Sulmi kishte qenë i befasishëm. Kryetari Muhaxheri tashmë ka dhenë deklaratën në polici dhe se i njejti beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare”, ka thënë avokati Kërveshi.

Reagime të shumta nga të gjitha partitë erdhën për sulmin ndaj Muhaxherit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bashkë me kryetarin e Lipjanit, Imri Ahmeti, dhe të Istogut, Ilir Ferati, menjëherë pas sulmit kanë shkuar në Pejë në vizitë tek Muhaxheri.

Abdixhiku ka thënë se Muhaxherin e gjetën edhe më të fortë e edhe më të vendosur në misionin e tij shembullor të udhëheqjes së Pejës.

“Vizituam mikun tonë Gazin dhe familjen e tij, në shtëpinë e tij në Pejë. E gjetëm edhe më të fortë e edhe më të vendosur në misionin e tij shembullor të udhëheqjes së Pejës – qytetit për të cilin punon me guxim, pasion e energji të pashterrshme.
I bëj thirrje edhe një herë autoriteteve të rendit e drejtësisë t’i marrin hapat e domosdoshëm dhe të menjëhershëm në zbardhjen e plotë të këtij akti të ulët; e në mbajtjen përgjegjës të autorëve që me dhunë e intimidim provojnë të ndalin një udhëheqës të lirë, me plot vullnet e energji”, ka shkruar Abdixhiku.

Para se ta vizitonte Abdixhiku kishte bërë një status në Facebook ku kishte shkruar se “Gaz Muhaxherin as s’mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë. Është i gatuar ndryshe ky burrë!”

“Organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta e të mbajnë përgjegjës ata që me argumentin e dhunës e urrejtjes provojnë të ndalin një udhëheqës e njeri të lirë”, kishte shkruar Abdixhiku në Facebook.

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, i cili njëherësh është edhe kryetar i Mitrovicës, ka reaguar  duke kërkuar që rasti të adresohet dhe të dënohet sa më shpejt nga institucionet e rendit dhe ligjit.

“Sulmi fizik ndaj Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, është një akt i ulët dhe i papranueshëm, i cili duhet të adresohet dhe të dënohet sa më shpejt nga institucionet e rendit dhe ligjit. Kosova ka nevojë për stabilitet, normalitet dhe bashkëpunim.”, ka shkruar Hamza.

Ndërkaq, kryetari i AAK-së dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj e ka quajtur si një akt qyqar, sulmin fizik të ndodhur sot ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Haradinaj ka thënë se drejtësia duhet të zbardh motivet e sulmit dhe të jetë e pa kompromis në ndëshkimin e sulmuesve.

“Qyqar e skajshmërisht i dënueshëm sulmi fizik mbi kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin! Drejtësia, pas arrestimit të sulmuesve, të zbardh motivet e këtij sulmi dhe të jetë e pakompromis në ndëshkimin e tyre! Dhuna të goditet në kokë e dhunuesit të rrijnë prapa hekurave. Lehtësues lajmi që Kryetari Muhaxheri është mirë me shëndet!”, ka shkruar Haradinaj.

Reagim ka pasur edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Ai ka thënë se një akt i tillë është i papranueshëm në shoqërinë kosovare që mjet dhe qëllim ka vetëm demokracinë.

Kreu i Kuvendit ka thënë se dhuna s’ka qenë zgjidhje asnjëherë dhe ka kërkuar nga organet e rendit zbardhjen e ngjarjes dhe dhënien e dënimit të merituar.

“E dënoj sulmin ndaj Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit, si një akt të papranueshëm për shoqërinë tonë që për mjet dhe qëllim ka vetëm demokracinë. I uroj shërim të shpejtë e shëndet të plotë! Dhuna kurrë nuk ka qenë zgjidhje e kurrë nuk do të zë vend, sepse jemi të vendosur kundër saj. Mbështes organet përkatëse në punën e tyre për zbardhje të plotë të ngjarjes dhe bëj thirrje që organet e drejtësisë ta ndjekin në plotni rastin dhe sulmuesit të marrin dënimin e merituar”, ka shkruar Konjufca.

Një tjetër reagim erdhi edhe nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Ai tha se dhuna nuk është opsion e as zgjidhje, teksa e dënoi sulmin e sotëm ndaj Muhaxherit.

“Në Kosovën tonë, e cila është shembull i shkëlqyeshëm i një shoqërie demokratike, dhuna nuk duhet të pranohet e as nuk do të tolerohet”.

Ndërsa, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se një sulm i tillë është sulm jo vetëm ndaj institucionit të kryetarit, por edhe ndaj vlerave të paqes, demokracisë e shtetit ligjor.

Osmani ka thënë që përgjegjësit duhet të përgjigjen para drejtësisë.

“Presidentja Osmani, dënon fuqimisht sulmin ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri. Ky është sulm jo vetëm ndaj institucionit të kryetarit, por edhe ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe shtetit ligjor. Përgjegjësit për këtë akt duhet të përgjigjen para drejtësisë”, ka thënë këshilltari për media i presidentes Osmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published.