Drejtori i KE-së: Agjenda e Reformës e miratuar e Kosovës do t’i lejojë të zhbllokojë 883 milionë euro në fonde shtesë

Drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian (KE) për Negociatat e Zgjerimit, Gert Jan Koopman,  ka përgëzuar Kosovën për Agjendën e Reformave, duke theksuar se vendi i vogël ballkanik mund të përfitojë 883 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE).

“Miratimi i Agjendës së Reformave për Kosovën do t’i lejojë asaj të zhbllokojë 883 milionë euro, për të sjellë përpara konvergjencën socio-ekonomike dhe për të zbatuar reformat e orientuara drejt BE-së”, ka shkruar Koopman.

Gjatë ditës së djeshme në vizitën në Prishtinë, presidentja e KE-së, Ursula Von der Leyen po ashtu përgëzoi Kosovën në punën që ka bërë në agjendën e reformave nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, duke thënë se deri para përfundimit të vitit, Kosova pritet të përfitojë 60 milionë euro nga kjo paketë.

“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është i planifikuar që t’i sjellë ekonomitë e rajonit më afër tregut tonë të përbashkët dhe të integrohen në tregun tonë të përbashkët. E dimë që suksesi i madh i zgjerimit nuk janë vetëm marrëveshjet politike dhe ndarja e vlerave, por është dhe prosperiteti ekonomik që e kemi parë te shtetet që i janë bashkuar BE-së”, tha Von der Leyen.

Leave a Reply

Your email address will not be published.