Sveçla në Ministerialin e BE-së: Kosova s’është zonë rehatie për kriminelët

Ministri i Punëve të Brendshme,  Xhelal Sveçla mori pjesë në Ministerialin e BE-së për Punë të Brendshme me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Sveçla në këtë ministerial ka prezantuar të arriturat e Kosovës në luftën kundër trafikimit me droga dhe grupeve kriminale të përfshira.

Në Budva të Malit të Zi është mbajtur sot Forumi i Ministrave të Brendshëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor, i organizuar nga Presidenca Hungareze e Këshillit të Evropës dhe Qeveria e Malit të Zi.

Sipas njoftimit nga Ministria e Punëve të Brendshme, Sveçla në fjalën e tij në këtë ministerial, prezantoi të arriturat e Kosovës në fushën e luftimit të krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore, armëve dhe narkotikëve si dhe në luftimin e migrimit të paligjshëm, si temat kryesore të këtij forumi.

“Përgjatë vitit 2023, në fushën e luftimit të krimit të organizuar, terrorizmit, trafikimit me njerëz dhe me armë, institucionet tona kanë trajtuar 256 raste dhe 168 raste për 9 mujorin e këtij viti”, ka thënë Sveçla.

Ministri Sveçla ka theksuar angazhimet e Policisë së Kosovës në luftën kundër trafikimit me droga dhe grupeve kriminale të përfshira.

“Nga janari i vitit të kaluar deri më tani është konfiskuar sasi e konsiderueshme e narkotikëve prej të cilave vlen të përmenden rreth 30 kg heroinë dhe mbi 2.5 ton kanabis. Gjatë periudhës 9 mujore të këtij viti, Policia e Kosovës ka arritur t’i zbulojë dhe shkatërrojë 4 laboratorë të cilët janë shfrytëzuar për prodhimin e narkotikëve si dhe 9 plantacione të kultivimit të kanabisit”, ka thënë Sveçla.

Duke qenë se migrimi i parregullt mbetet sfidë për shumë vende që po ballafaqohen me to, ministri Sveçla prezantoi angazhimet e institucioneve relevante në këtë drejtim.

“Falë përkushtimit të të gjitha institucioneve tona, vendi ynë sot prinë në shumë raporte ndërkombëtare në luftimin e këtyre dukurive si dhe nuk është më zonë rehatie si për grupe të ndryshme kriminale ashtu edhe për migrantë të parregullt”, ka thënë Sveçla.

Leave a Reply

Your email address will not be published.