Bislimi: Do t’i zbatojmë rekomandimet e Raportit të Progresit, pavarësisht masave të padrejta të BE-së

Pas dorëzimit të Raportit të Progresit për vitin 2024 nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Aivo Orav, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, deklaroi se Kosova mbetet ndër vendet më të përkushtuara ndaj vlerave evropiane dhe demokratike.

Në deklaratën e tij, Bislimi vuri theksin te përkushtimi i Kosovës për përfaqësimin e këtyre vlerave dhe drejtësisë, duke thënë se raporti i dorëzuar nga BE-ja përfshin arritjet dhe sfidat e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Pavarësisht masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat ai i konsideron të padrejta dhe në kundërshtim me parimet dhe vlerat që promovon Bashkimi Evropian, Bislimi ka shtuar se vendit do t’i zbatojë rekomandimet e Raportit të Progresit.

“Implementimi i rekomandimeve nga raporti është i rëndësishëm për ne jo vetëm në prizëm e progresit në integrimit evropian por edhe drejt zhvillim të mëtutjeshëm të vendit tonë. Do të vazhdojmë zbatimin e rekomandimeve por edhe prioritizimin politik të agjendës së integrimit evropian. Pavarësisht masave të padrejta që janë në fuqi. Ne i karakterizojmë ato si të padrejta, sepse sëpari është rekomanduar largimi i tyre tashmë dhe pavarësisht rekomandimin ato prapë qëndrojnë në fuqi. Dhe së dyti i konsiderojmë në kundërshtim edhe me vetë me parimet dhe vlerat e BE-së. Duke dëmtuar edhe kredibilitetin e BE-së karshi qytetarëve tanë”, ka thënë Bislimi.

Raporti i Progresit për këtë vit, ndër të tjera, sipas Bislimit, përgëzon Kosovën për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe progresin e saj në liberalizimin e vizave me BE-në.

“Zgjerimi i BE ka qenë dhe mbetet stabiliteti i paqes në Evropë. Sot paketa përfshin dhjetë shtete, nga shtatë sa ishin më herët. Si shteti më pro-evropian, Kosova përfaqëson vlerat evropiane, të demokracisë, barazisë dhe sundimit të ligjit”.

“Kjo ditë është e rëndësishme për shkak se shihet se ku është kryer punë e mirë dhe ku ka ngecje. Raporti e përgëzon për vendosjen e masave ndaj Rusisë dhe si dhe për progresin për vizat me BE-në. Përkushtimi i Kosovës proaktive, ka ndihmuar në kapërcimin e sfidave të mëtejshme. KE përgëzon Kosovën për Agjendën e Reformave për vitin 2027”, ka thënë ndër të tjera Bislimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.