Haradinaj prezanton kandidaten më të re për deputete, Zarife Asllanin

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka prezantuar kandidaten më të re për deputete të kësaj partie, Zarife Asllanin.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj thotë se Asllani është një zë i fuqishëm për gratë.

Që ta prezantojë me publikun, Haradinaj zgjodhi këtë ditë, ditën e fundit të tetorit, muajit të ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, pasi Asllani u përballua me këtë sëmundje dhe e mposhti.

“Sot, në ditën e fundit të Tetorit – muajit të ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit – kam kënaqësinë të prezantoj Zarife Asllanin si kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Jeta e Zarifes është një histori frymëzimi, jo vetëm për gratë që përballen me kancerin, por për të gjithë që kërkojnë forcë për të tejkaluar vështirësitë. Si aktiviste e hershme dhe e palodhur e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Zarifja ka qenë gjithmonë një shtyllë mbështetëse për organizatën dhe një zë për ndryshim. Ajo ka bashkuar me sukses aktivitetin politik me angazhimin e saj të paepur në luftën kundër kancerit të gjirit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Zarife Asllani nga Gjilani përfaqëson jo vetëm vlerat dhe parimet e Aleancës, por sjell edhe një shpirt të pathyeshëm, të gatshëm të luftojë për gratë e Kosovës dhe për një shoqëri më të shëndetshme. Ajo është dëshmi e asaj që mund të arrijë një grua kur i përkushtohet kauzës, familjes dhe vendit të saj”.

“Me Zarifen Kuvendi i Kosovës, fiton një zë të fuqishëm që njeh sakrificën dhe nuk ndalet së luftuari për atë që beson. Prania e saj në parlamentin tonë do të jetë një fitore për të gjithë qytetarët që aspirojnë për një shoqëri të shëndetshme dhe për një të ardhme më të mirë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.