Profesori amerikan: Qëndrimi i Kurtit ka sjellë zero progres në dialog, ka armiqësuar BE-në në vend që t’i afrohet asaj

Profesori dhe eksperti amerikan në shkenca politike, Alon Ben-Meir thotë se Bashkimi Evropian është i pakënaqur me mënyrën se si kryeministri Albin Kurti po e trajton dialogun.

Ai deklaron se qëndrimi i shefit të ekzekutivit “ka bërë zero progres dhe e ka armiqësuar BE-në”. Sipas tij, Kosova pas procesit zgjedhor duhet të rimendojë pozicionin e saj në këtë proces.Profesori i Universitetit të Nju Jorkut, Ben-Meir foli edhe për Asociacionin, për çka mes tjerash konsideron se Kosova e ka detyrim të fillojë me hapat drejt themelimit.

“Edhe pse dialogu nuk ka dhënë asnjë rezultat, mos dialogimi është padyshim një rrugë pa krye. Pra, pavarësisht dialogut, konkretisht pas zgjedhjeve të shkurtit mund të ecë përpara sepse mendoj se Kurti ka nxjerrë një sërë mësimesh gjatë katër viteve të fundit, se ky lloj qëndrimi ka bërë thjesht zero progres dhe e ka armiqësuar BE-në në vend që t’i afrohet BE-së. Dua të them, imagjinoni se BE-ja vendosi sanksione ndaj Kosovës, jo ndaj Serbisë, sepse BE-ja është shumë e pakënaqur me Kurtin dhe mënyrën se si ai po i trajton këto negociata, këtë dialog“, tha ai për Kosovapress.

Profesori amerikan teksa flet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thotë se Serbia duhet të ndalojë fushatën kundër njohjes së Kosovës. Ben-Meir, i cili një pjesë të karrierës së tij e ka kaluar duke u marrë me konfliktin izrealito-palestinez, konsideron se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova duhet të zgjidh çështjen e Asociacionit.

Ndërkaq, në raportin për vendin të Komisionit Evropian, Kosovës i kërkohet të fillojë procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.Eksperti për çështjet e Ballkanit Perëndimor shprehet se kjo çështje duhet të zgjidhet, pavarësisht se çfarë ka ndodhur në marrëdhëniet mes të dyja vendeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.