Mustafa: Konventa e PDK-së ka shkaktuar panik tek VV-ja, do t’i rrisim pagat 50%, pensionin minimal do ta bëjmë 200 euro

Zyrtari i PDK-së, Arben Mustafa, ka reaguar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për punën e rritjes së pagave, duke thënë se konventa e mbajtur nga Bedri Hamza ka shkaktuar panik tek partia në pushtet.

Mustafa thotë se në kohën e PDK-së dhe Bedri Hamzës pagat ishin rritur 88 % për arsimtarët, për policët 139 %, mjekët 87 % dhe për infermierët 133 %.

Sa i përket rritjeve të bëra nga Qeveria Kurti, Mustafa thotë se ato nuk i ndjejnë punëtorët e sektorit publik që s’janë në pozita të larta.

Ai tutje ka listuar premtimet e PDK-së për rritje prej 50 % të pagave, bërjen e pensionit minimal 200 euro dhe rritjen e atij kontributdhënës deri në 30 % dhe rritje prej 50 % të benefiteve për kategoritë e dalura nga lufta.

Reagimi i plotë

Konventa madhështore e PDK-së për Bedri Hamzën Kryeministër, po duket që ka shkaktuar panik te partia në pushtet.

Me që ju paskan referuar pagave, atëherë është mirë ta rikujtojmë faktin se në kohën e qeverisjes së PDK-së dhe Bedri Hamzës, pagat e sektorit publik patën shënuar rritjen më të madhe ndonjëherë dhe Kosova nuk shquhej si vendi me pagat më të ulëta në rajon.

Më konkretisht, pagat e arsimtarëve ishin rritur për 88%, pagat e policëve 139%, pagat e mjekëve 87%, pagat e infermierëve 133%.

Për sa i përket vendimit të vitit 2017, për pagat e kabinetit qeveritar, duhet ta rikujtojmë faktin se Bedri Hamza, si Ministër i Financave, pati refuzuar ta marrë pagën me rritje, duke shfaqur integritet të lartë moral e profesional.

E kur shtrohet pyetja se çka ka ndodhë me pagat nën qeverisjen e Albin Kurtit, është mirë të pyeten punonjësit e sektorit publik, përveç udhëheqësve me pozita të larta shtetërore, se a po vërejnë rritje page në llogaritë e tyre?!

Përgjigja nga këto kategori është JO!

Prandaj, ashtu siç kemi bërë kapërcimin e madh në vitet 2011 dhe 2014, është koha ta bëjmë kapërcimin e radhës me Kryeministrin Bedri Hamza, për një jetë me dinjitet për të gjithë qytetarët e Kosovës!

• 50% për rritje të pagave!

• Pension minimal prej 200 euro dhe rritje prej 30% për pensionistët kontributdhënës!

• 50% rritje të benefiteve për kategoritë e dala nga lufta!

• Program të fuqishëm për mbështetjen e sektorit privat!

Leave a Reply

Your email address will not be published.