Kështu thanë në një përgjigje nga zyra për Shtyp dhe Informim Publik të EULEX-it.
Sipas tyre, pas dorëheqjes së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës ekziston një vakum i sigurisë.
Në përgjigjen e tyre thuhet se EULEX-i mund ta plotësojë këtë vakum vetëm pjesërisht, por EULEX-i nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës.
Pas situatës së krijuar në veri të vendit ku pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb dhanë dorëheqje, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka dërguar trupa të reja atje, por ky mision nuk ka marrë përsipër përgjegjësi policore në veri të Kosovës.
“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk ka marrë përsipër përgjegjësi policore në Kosovën veriore. Për t’i monitoruar nga afër të gjitha zhvillimet të cilat mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë, Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it dhe Njësia Policore e Specializuar Rezervë i kanë shtuar në mënyrë të konsiderueshme patrullimet e tyre vëzhguese mobile në pjesën veriore të Kosovës në bashkërendim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Që nga data 16 nëntor, krahas shtimit të konsiderueshëm të patrullimeve vëzhguese mobile, zyrtarë nga Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it dhe Njësia Policore e Specializuar Rezervë janë duke kryer edhe patrullime në këmbë në komunat veriore”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Tutje nga kjo zyrë kanë thënë se EULEX-i po e monitoron situatën në pikë-kalimet e përbashkëta në Jarinjë dhe Bërnjak, përmes pranisë së Njësisë Policore të Specializuar të tij.
“Pjesëtarët e Njësisë Policore të Specializuar dhe të Njësisë Policore të Specializuar Rezervë punojnë me ndërrime dhe janë duke kryer patrullime vëzhgimi 24/7”.
Gjithashtu ata treguan se këshilltarët policorë të lartë të EULEX-it për veriun janë të vendosur në kompleksin e Drejtorisë së Policisë së Kosovës Rajoni Veri dhe janë duke dhënë këshilla për Drejtorinë e Policisë së Kosovës Rajoni Veri si dhe për katër stacionet policore nën komandën e saj në lidhje me një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore.