Kryeministri Albin Kurti, ka mohuar se fushata zgjedhore ka nisur në Kosovë, para janarit, raporton Ekonomia Online.
I pyetur nëse fillimi i projekteve gjatë ditës në Podujevës lidhet me fushatën e tij, Kurti u shpreh se vendosja e gurthemeleve të projekteve po bëhet bazuar në planifikimet e mëparshme.
“Jo sivjet nuk ka fushatë, fushata fillon me janarin e vitet të ardhshëm diku me 9 apo 11 janar. Ajo çfarë po bëjmë tash është vendosja e gurthemeleve të projekteve që i kemi planifikuar dhe përgatitur mirë. Pra, ka marr kohë përgatitja dhe planifikimi, në mënyrë që ekzekutimi të jetë sa më i shpejt. Këto janë në kuadër të planifikimeve tona të rregullat, që i bëjmë nëpër komuna të ndryshme, por sot kësaj radhe ishte në komunën e Podujevës dhe për besë unë paskam harruar që sot janë bërë 4 vite që Shpejtim Bulliqi është bërë kryetar për herë të parë”, tha Kurti.
Ai ka kritikuar kryetarët e komunave se nuk kanë dërguar kërkesa mjaftueshëm te MASHTI për ndërtimin e çerdheve.
“Inkurajoj të gjithë kryetarët e komunave që MASHTI-it t’i bëjnë kërkesa për çerdhe sepse deri me tani janë vetëm përafërsisht 60 që janë duke u proceduar. Nuk ka mjaftueshëm kërkesa nga kryetaret e komunave. Le ta marrin sa më seriozisht këtë”, tha Kurti.