Kryeministri Albin Kurti ka thirrur një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Ai ka thënë se ky është një sulm terrorist që beson se vjen nga Serbia.
Kurti bëri të ditur se Policia tashmë ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka marrë në dorë situatën. “Ky është një sulm kriminal dhe terrorist”, tha Kurti, duke e dënuar ashpër aktin dhe duke e cilësuar si një sulm të planifikuar dhe të realizuar nga individë të trajnuar.
Ai theksoi se ky sulm është një episod tjetër i një serie sulmesh të ngjashme, që kanë për synim destabilizimin e rendit dhe sigurisë.
Kryeministri i bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të besojnë në institucionet e rendit, të cilat janë në krye të detyrës për të zbardhur këtë ngjarje dhe për të mbajtur të sigurt qytetarët.
Shefi i Qeverisë ka shfrytëzuar konferencën të sulmojë “portale dhe analistë”, të cilat kanë vlerësuar, madje disa kanë paralajmëruar se para zgjedhjeve do të ketë tensione në veri.
Ai ka kërkuar nga qytetarët të mos ju besojnë këtyre portale “të cilat ata e dinë cilat janë”, por të informohen në rrugë “zyrtare”.