Haki Abazi: Kurti e shkarkoi Agim Veliun në 2020-tën për ta goditur fort LDK-në

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, njëherit ish-zëvendëskryeministër në Qeverinë Kurti 1 ka folur për kohën e shkarkimit të Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Ai ka thënë se Kurti e largoi Agim Veliun nga pozita e ministrit të Brendshëm për ta goditur fort LDK-në, që atë kohë e kishte partner të koalicionit qeverisës.

“Unë nga zyra ime kam shkuar në shtëpi dhe të nesërmen në mëngjes nga mediat kam marrë vesh për shkarkimin e tij. Do të thotë kam shtru çështje, arsyetimi ka qenë, bashkëpunimi i LDK-së me Thaçin në atë kohë ka qenë problematik, dhe rrjedhimisht ka qenë i paevitueshëm shkarkimi  i tij”, ka deklaruar Abazi.

Ai thotë se nuk ka qenë pjesë e vendimit për shkarkimin e Veliut.

“Nuk kam qenë pjesë e diskutimit e as e vendimit, nga mediat kam marrë pyetje pse ndodhi një gjë e tillë, kam thënë lëreni të pyes”, ka thënë Abazi.

Kujtojmë se Kurti vendimin për shkarkimin e Veliut nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme e kishte marrë më datë 18 mars të vitit 2020.

Për shkarkimin e tij Kurti kishte deklaruar se është i detyruar të marrë një vendim të tillë.

“Jam i detyruar të veproj, andaj edhe kam vendosur të shkarkoj z.Veliu nga detyra e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Unë kam njoftuar Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, për vendimin që kam marrë dhe po ashtu kam kërkuar prej tij që sa më shpejtë të ma dërgojë emrin e ministrit të ri”, thuhej atë kohë në deklaratën e Kurtit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.