Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, është deklaruar për sulmin terrorist te kanali i Ibër-Lepencit në Zubin Potok për të cilin Qeveria në Kosovë beson se “është orkestruar nga Serbia”.
Hill u shpreh se tash për tash, ShBA-të “nuk shohin bazë për të drejtuar gishtin te dikush”.
Hill tha se është e rëndësishme që të ketë hetim kredibil për rastin, derisa u thirr në, siç tha ai, gatishmërinë (deklarative) të shtetit serb “për të mbështetur hetim serioz”.
“(Hetim) me pjesëmarrjen e faktorëve ndërkombëtare, amerikanët janë të gatshëm për këtë, mendoj se do të ketë përpjekje që të jetë edhe BE-ja dhe shpresoj që të arrijmë një lloj rezultati. (Shpërthimi) mund të kishte sjellë probleme të mëdha, por fatmirësisht ata ia dolën të rregullojnë gjërat brenda orës, ndërsa brenda disa ditësh gjithçka u normalizua…mirëpo kjo nuk do të thotë se ne s’duhet të përcaktojmë si ndodhi dhe kush është përgjegjës.
Nuk besoj në këtë moment se ka bazë për t’i drejtuar gishtin dikujt. Ajo që është e rëndësishme është të bëhet një hetim i besueshëm. Qeveria në Serbi tha shumë herët se mbështet një hetim serioz“, tha Hill.
Ndryshe, shpërthimi i 29 nëntorit në Ibër-Lepenc – kanalin në veri të Kosovës, prej nga furnizohen me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit – u shkaktua nga rreth 20 kilogramë eksplozivë dhe u cilësua nga Policia e Kosovës si më i rëndi në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.
Sulmi shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe ndërprerje të furnizimit të rregullt me ujë dhe rrymë në disa zona.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri përgjegjëse Serbinë për, siç u shpreh, “sulmin terrorist” dhe tha se ajo është duke i kopjuar metodat që aplikon Rusia në luftën e saj në Ukrainë.