35 vjet LDK – Abdixhiku rikujton trashëgiminë e Rugovës dhe thërret për një Kosovë të re

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar të hënën 35-vjetorin e themelimit në një ceremoni solemne që mblodhi udhëheqës, anëtarë dhe përkrahës të kësaj partie. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përkujtoi këtë datë si momentin kur “intelektualë të shquar të kohës nisën lëvizjen më të madhe kombëtare për liri, pavarësi dhe demokraci”, raporton Ekonomia Online.

Në fjalën e tij, Abdixhiku vuri theksin te trashëgimia historike e Ibrahim Rugovës dhe roli i LDK-së në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Liria e Kosovës mban vulën e Ibrahim Rugovës dhe LDK-së. Edhe pavarësia e Kosovës u bart nga LDK-ja, ndërsa shtet-ndërtimi mban vulën tonë. Lindja e LDK-së ishte lindje e aspiratave për liri, demokraci dhe paqësore.”

Kryetari përkujtoi guximin e themeluesve të partisë duke theksuar se partia pati “35 vjet guxim, qëndrueshmëri dhe përkushtim të palëkundur ndaj idealëve”.

“Sot, ndërsa shënojmë këtë përvjetor, ripërtërijmë zotimet tona për të ardhmen”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, në zgjedhjet e 9 shkurtit do të ketë një kthesë në skenën politike kosovare, duke shënjestruar populizmin që ka mbajtur peng zhvillimin e vendit.

“Kosova udhëhiqet sot nga populistë toksikë që nuk arrijnë të bëjnë hapa zhvillimore. Është koha t’i lëmë ata pas dhe të prijmë drejt së ardhmes. Në këto zgjedhje përcaktohet jo vetëm dekada, por edhe e ardhmja politike e Kosovës.”

Ai bëri thirrje për mobilizim të mbështetësve të LDK-së, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve si moment historik për ta rikthyer Kosovën në rrugën e saj pro-perëndimore.

“E kaluara jonë është e lavdishme dhe e papërsëritshme, por e ardhmja mbetet e hapur. Ne kemi në dorë të përsosim fatin tonë politik dhe të vazhdojmë rolin tonë historik”, tha Abdixhiku.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.