Në njoftim bëhet e ditur se fushata ka filluar me krijimin dhe prezantimin e punimeve dhe mesazheve të ndryshme nga nxënësit e shkollave përfituese të projektit dhe shpërndarjen e tyre në rrjetet sociale, organizimin e debateve, diskutimeve dhe tryezave të rrumbullakëta me akterë relevant rreth mbrojtjes së fëmijëve nga abuzimi, si dhe me dhënien e informacioneve rreth rëndësisë që ka kjo ditë.
Sipas një njoftimi për media Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) dhe Qendra për Studime të Avancuara (FIT), me moton “Fëmijëri e lumtur”, përmes projektit “Së bashku kundër abuzimit të fëmijës – TACA” për të tretin vit radhazi janë duke zhvilluar fushatën për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me abuzimin dhe dhunën ndaj fëmijës.
Sot shënohet Dita Botërore për Parandalimin e Abuzimit të Fëmijës, e cila 22 vjet më parë është shënuar për herë të parë nga Fondacioni i Samitit Botëror të Grave (WWSF), një organizatë joqeveritare.
Po ashtu në njoftim thuhet se nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi 70% e fëmijëve kanë përjetuar lloje të ndryshme të disiplinimit të dhunshëm.
“Qëllimi është që të fuqizohen organizatat dhe mediat të marrin përgjegjësinë për problemin e abuzimit të fëmijës, duke ofruar njohuri mbi rrjetin mbrojtës dhe mundësi alternative për mbrojtjen e fëmijës në situata të cenueshme. Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se mbi 70% e fëmijëve kanë përjetuar lloje të ndryshme të disiplinimit të dhunshëm. Arsyet kryesore lidhen me mungesën e njohurive të disiplinimit pozitiv, probleme sociale, emocionale etj”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, siç sqarohet në njoftim fushata vazhdon edhe më 20 nëntor duke shënuar Ditën e Konventës për të Drejtat e Fëmijës, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989.
Ndryshe, Fondacioni i Samitit Botëror të Grave (WWSF) së bashku me një koalicion ndërkombëtar të organizatave avokuese për gratë dhe çështjet e fëmijës, nga viti 2000 mobilizuan qeveritë dhe shoqëritë për të ndërmarrë veprime dhe për të parandaluar abuzimin e fëmijës
“Abuzimi i fëmijëve mund të përkufizohet si një veprim ose dështim për të vepruar, nga ana e një prindi apo kujdestari që rezulton në vdekje, dëmtim serioz fizik ose emocional, abuzim seksual ose shfrytëzim të një fëmije, ose vendos fëmijën në një rrezik të menjëhershëm të një dëmtimi serioz dhe/ose ndikon seriozisht në zhvillimin dhe potencialin afatgjatë të fëmijës” (UNICEF).
Në vitin 2001, shumë shtete u bashkuan për të shënuar këtë ditë duke kontribuar në dhënien e këshillave për identifikimin dhe parandalimin e abuzimit të fëmijës dhe në krijimin e një kulture parandalimi të abuzimit të fëmijës në të gjithë botën duke inkurajuar qeveritë, institucionet relevante, organizatat, profesionistët, prindërit dhe gjithë komunitetin për një qëndrim kolektiv për zero tolerancë ndaj abuzimit dhe dhunës ndaj fëmijës.