“Liria, besimi dhe pajtimi” – qëndrimet dhe dëshirat e serbëve dhe shqiptarëve nga veriu i Kosovës

“Liria dhe besimi”.

Kjo është ajo që momentalisht i mungon më së shumti Dragisha Llakiqeviqit nga fshati Kutnje, në komunën e Leposaviqit, ku jetojnë kryesisht serbë.

Ai merret me bujqësi dhe prodhimin e djathit shtëpiak, mishit dhe produkteve të frutave.

Në një pronë prej rreth 12 hektarësh pranë lumit Ibër, ai kujdeset për kafshët shtëpiake.

Dragisha Llakiqeviq në oborrin e shtëpisë së tij.
Dragisha Llakiqeviq në oborrin e shtëpisë së tij.

Përveç kësaj, Dragisha është i punësuar në një nga institucionet e Serbisë që Qeveria e Kosovës i ka mbyllur nga fillimi i vitit 2024, duke argumentuar se funksionimi i tyre është i paligjshëm.

Disa nga institucionet e mbyllura janë Posta e Serbisë, Kursimorja e Postës, Organet e Përkohshme Komunale, Thesari i Bankës Popullore të Serbisë dhe Instituti për Sigurime Pensionale dhe Invalidore në Mitrovicën e Veriut, të cilat janë zëvendësuar nga institucione, posta dhe banka që operojnë në sistemin e Kosovës.

Megjithatë, Dragisha Llakiqeviq shpjegon se atyre u duhen edhe institucionet që punojnë në sistemin e Serbisë, në mënyrë që të mund të komunikojnë me të afërmit ose miqtë e tyre.

“Për shembull, ne jemi shumë më të orientuar drejt Rashkës, Kralevës dhe Novi Pazarit [qytete në Serbi], sesa drejt Vushtrrisë ose, për shembull, drejt Prishtinës [kryeqyteti i Kosovës që gjendet në jug të lumit Ibër]. Për fat të keq, por kështu është. Ne kishim të afërm në Prishtinë, por ata të afërm tanë nuk janë më në Prishtinë. Ata janë tani në Kragujevc ose Beograd. Dhe tani kur ky pushtet qendror na hap Postën e Kosovës këtu, çfarë të bëj unë me atë institucion këtu?”.

Serbia, ndërkohë, refuzon të mbyllë institucionet e saj për territorin e Kosovës dhe i ka zhvendosur ato pranë zonave kufitare nga ana serbe. Aty janë vendosur edhe bankomate ku qytetarët e Kosovës mund të tërheqin pagesat e tyre në dinarë, duke pasur parasysh që Qeveria e Kosovës ka ndaluar përdorimin e valutës zyrtare të Serbisë nga fillimi i vitit 2024.

Një bankomat i vendosur nga autoritetet serbe në Rashkë të Serbisë, vetëm pak metra pas kalimit të kufirit me Kosovën.
Një bankomat i vendosur nga autoritetet serbe në Rashkë të Serbisë, vetëm pak metra pas kalimit të kufirit me Kosovën.

Dragisha Llakiqeviq, por edhe shumica e serbëve të tjerë nga Kosova, i shohin këto veprime si “represion”.

“Çështja e dinarit, kjo është një çështje shumë e vështirë. Dua të them, të gjitha të ardhurat tona [nga buxheti i Serbisë] janë në dinarë, ndërsa tani këtu [në Leposaviq] nuk mund të paguajmë asgjë në dinarë, kështu që gjejmë zgjidhje, i shkëmbejmë në euro. Jeta këtu na është bërë e ndërlikuar, por shpresojmë për më të mirën”, thotë Llakiqeviq për Radion Evropa e Lirë (REL).

Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë: paga, pensione, ndihma për nënat apo fëmijët, ndihmë sociale dhe pagesa të tjera.

Tetëdhjetëvjeçarja Sllobodanka Llazoviq nga Leposaviqi jeton vetëm, dhe është njëra nga ata që nuk janë në gjendje të udhëtojnë çdo muaj në Serbi për të tërhequr pensionin.

“Kam disa shoqe që kanë punuar në [Mitrovicën e Veriut], ato deri tani m’i kanë sjellë. Unë vetëm dal, ajo më telefonon dhe më thotë kur do të vijë autobusi dhe unë dal dhe e marr [pensionin]. Për më tutje, nuk e di si do të jetë”, thotë ajo për REL.

Sllobodanka Lazoviq.

Leave a Reply

Your email address will not be published.