“Menaxhmenti i agjencisë ishte i detyruar të informonte kryeministrin nëse kishin dijeni që duhani i konfiskuar nuk po trajtohej siç duhet. Unë jam duke pritur për disa informacione të tjera, por definitivisht, disa njerëz që janë aktualisht në Agjenci nuk do të mund të qëndrojnë më aty”, tha Abazovic për mediat në Budva.
Qeveria e Malit të Zi shkarkoi të premten shefin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Savo Kentera, pasi kryeministri në largim Dritan Abazoviq paralajmëroi se disa zyrtarë të Agjencisë kishin marrëdhënie me kontrabandistët e duhanit. Mediat raportuan se Kentera u shkarkua në një seancë ‘online’ të qeverisë, pesë muaj pasi u emërua më 5 maj.
Të premten, Abazoviq tha se ka disa ankesa për punën e Agjencisë kur bëhet fjalë për parandalimin e kontrabandës së cigareve, transmeton Telegrafi.
Më 6 tetor, ish-shefi i zyrës doganore, Rade Millosheviç, akuzoi Kenteran dhe një oficer të lartë të Agjencisë, Drago Spicanovic, për lidhje me kontrabandistët e duhanit në portin e Tivarit.
Në disa operacione të mëdha policore dhe doganore në vitet e fundit, Mali i Zi ka sekuestruar qindra ton cigare kontrabandë dhe më shumë se dy ton kokainë në port.
Që nga kolapsi i Jugosllavisë në vitet 1990, Tivari është bërë një qendër e njohur për kontrabandën e cigareve, nga ku duhani i importuar rieksportohet dhe cigaret e prodhuara në Mal të Zi dërgohen.