/

Putin ka urdhëruar konfiskimin e projektit ndërkombëtar të naftës dhe gazit

Një hap i tillë do të prekë miliarda dollarë investime të kompanive amerikane, japoneze dhe indiane.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret për instalim të një operatori të ri në projektin e madh ndërkombëtar të gazit dhe naftës, Sakhalin-1, në rajonin e Lindjes së Largët të Rusisë.

Dekreti i 7 tetorit duket se është përsëritje e strategjisë që e ka përdorur Kremlini së fundi për të marrë kontrollin e aseteve të energjisë që janë në pronësi të huaj.

Putin ka urdhëruar që Qeveria ruse të ketë autoritet për të vendosur nëse palët e huaja do të mund të kenë aksione në projektin masiv të naftës dhe gazit, Sakhalin-1.

Ky hap, drejt nacionalizimit, komplikon edhe më shumë përpjekjet e kompanisë amerikane, Exxon Mobil që të largohet nga Rusia, prej kur Perëndimi i ka vënë sanksione Moskës për luftën e nisur në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Exxon ka 30 për qind të aksioneve në projektin Sakhalin-1.

Situata vështirësohet edhe për kompaninë japoneze, Sodeco, e cila ka 50 për qind të aksioneve dhe kompaninë indiane, ONGC Videsh.

As Exxon dhe as Sodeco nuk kanë komentuar dekretin e Putinit.

Në urdhrin e Kremlinit përmendet themelimi i një kompanie ruse, si degë e Rosneftit – Sakhalinmorneftegaz – për të kontrolluar të drejtat e investitorëve në Sakhalin-1.

Pas themelimit të kompanisë, investitorët e huaj do të kenë një muaj kohë për të kërkuar aksione në këtë projekt, përmes rrugëve të Qeverisë ruse.

Shtetet e Bashkuara dhe Japonia i kanë vënë sanksione të ashpra Rusisë për luftën në Ukrainë, derisa India ka qëndruar kryesisht e heshtur.

Projekti Sakhalin-1 operon në tri zona të Detit Okhotsk, dhe përmes një teknologjie të avancuar krijohet qasje në disa prej puseve më të thella në botë.

Në muajin korrik Putin e ka nënshkruar një tjetër dekret për të fituar kontrollin e plotë mbi projektin simotër, Sakhalin-2.

Në projekt kanë qenë partnerë kompanitë: Shell, Mitsui & Co dhe Mitsubishi Corp.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published.