“E vërteta është në anën tonë. Forca është tek e vërteta, që do të thotë fitore. Fitorja do të jetë e jona”, ka thënë Putin.
Pas aneksimit të paligjshëm të katër rajoneve të Ukrainës – Donjeck, Luhansk, Herson dhe Zaporizhja – presidenti rus, Vladimir Putin, është shfaqur para publikut të tij në Moskë i pamposhtur dhe i vendosur për të vazhduar tutje.
Në realitet gjërat duken ndryshe. Forcat e Ukrainës kanë përparuar edhe brenda territoreve që Rusia pretendon se i ka aneksuar.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë në një konferencë për media më 11 tetor se Ukraina është në epërsi.
“Presidenti Putin është duke dështuar në Ukrainë. Përpjekjet për aneksime, mobilizimi i pjesshëm dhe retorika për armët bërthamore paraqesin përshkallëzimin më të madh të situatës që nga fillimi i luftës. Këto tregojnë se lufta nuk po shkon siç është planifikuar”, ka thënë Stoltenberg.
Rusia ka humbur afro 6.000 ushtarë në luftën në Ukrainë, sipas shifrave të fundit që ka publikuar ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Kjo shifër është shumë më e vogël se vlerësimet e Pentagonit, që flasin për 80.000 ushtarë rusë të vrarë ose të plagosur vetëm në gjashtë muajt e parë të luftës.
Putin ka shpallur mobilizim të pjesshëm ushtarak për luftën në Ukrainë, me synimin për të grumbulluar deri në 300.000 ushtarë. Së voni, ai ka emëruar edhe komandantin e parë të përgjithshëm për luftën në Ukrainë, gjeneralin Sergei Surovikin. I njohur për taktikat e tij brutale, Surovikin ka shërbyer edhe në luftërat e Çeçenisë dhe Sirisë. Emërimi i tij, në mediat perëndimore, është cilësuar si përpjekje e Kremlinit për të përmirësuar dështimet në fushëbetejë.
“Kjo mund të tregojë se Moska tani po e kupton se ushtria e saj është në rrezik kolapsi në Ukrainë”, ka shkruar gazeta britanike, Guardian. Emërimi i Surovikinit është “një pranim i qartë se gjërat nuk janë duke shkuar mirë”, ka shkruar BBC.
Shumë vëzhgues perëndimorë janë të prirë ta shohin regjimin rus si një monolit, por realiteti duket se ka nisur të komplikohet. Zyrtarë të linjës më të ashpër ruse kanë nisur të shprehin hapur zemërimin. Udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadyrov, ka sulmuar direkt komandantët ushtarakë rusë për, siç ka thënë, dështimet në Ukrainë. Kadyrov ka dërguar edhe ushtarët e tij për të luftuar në shtetin fqinj.
“Nëse sot ose nesër nuk bëhen ndryshime në strategji, do të detyrohem të flas me udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe udhëheqjen e vendit për t’iu shpjeguar situatën reale në terren. Është një situatë shumë interesante. Është tronditëse”, ka thënë Kadyrov.
Oligarku rus, Yevgeniy Prigozhin, themelues i grupit të mercenarëve, Vagner, ka kritikuar po ashtu Ministrinë e Mbrojtjes, e cila udhëhiqet nga besniku i Putinit, Sergei Shoigu. Deputeti Andrei Kartapolov ka thënë se ministria duhet t’i ndalojë gënjeshtrat për gjendjen e ushtrisë ruse në Ukrainë, sepse “populli ynë nuk është aspak budalla”. Propagandistët televizivë, si Margarita Simonyan dhe Vladimir Soloviev, kanë akuzuar ushtrinë ruse për nxitje të destabilitetit në vend, duke u përpjekur të rekrutojë, siç kanë thënë, rusë të papërshtatshëm për shërbim.
Paraprakisht, mbi 40 zyrtarë të zgjedhur lokalë në të gjithë Rusinë kanë nënshkruar një peticion me thirrjen: “Kërkojmë dorëheqjen e Vladimir Putinit nga posti i presidentit të Federatës Ruse”.
Tani shtrohet pyetja: A do të kenë këto mospajtime të hapura pasoja politike për Putinin?
Për programin Expose të Radios Evropa e Lirë flet Sarah Wilson Sokhey, ligjëruese e shkencave politike në Universitetin e Kolorados:
“Ai [Putin] po përballet me rreziqe politike, edhe pse nuk është e qartë natyra e saktë e tyre ose e presionit që do ta largonte vërtet nga pushteti në një afat të shkurtër. Megjithatë, ka një reagim negativ prej se ka shpallur atë që e quan mobilizim të pjesshëm. Këtë e tregon edhe fakti se mijëra burra rusë po përpiqen të largohen nga vendi ose janë larguar tashmë”.
Putin, ish-spiun, ka qenë politikani më i fuqishëm i Rusisë prej se ka marrë presidencën në vitin 2000, pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, Boris Yeltsin. Për më shumë se dy dekada në pushtet, ai ka gëzuar reputacionin e të qenët gjithmonë fitues, thonë analistët. Sipas tyre, ai ka pasur vlerësime të larta edhe te populli, përkundër protestave të herëpashershme – ndër të fundit, ato kundër luftës në Ukrainë dhe kundër mobilizimit ushtarak, që kanë rezultuar me mijëra njerëz të arrestuar.
Sarah Wilson Sokhey, nga Universiteti i Kolorados, thotë se sondazhet e opinionit sugjerojnë se vlerësimet për Putinin janë ende të larta, por shpreh dyshim nëse ato janë të besueshme në një shtet autoritar si Rusia.
“Ka disa prova që tregojnë se popullariteti i tij ka pësuar goditje. Madje, edhe organizata e sondazheve e Kremlinit, VCIOM, ka treguar rënie të lehtë të vlerësimeve për të. Edhe Levada, që është qendër e pavarur, ka thënë se ka rënie të lehtë, por, megjithatë, vlerësimet mbeten të larta”.
“Ka arsye për të qenë skeptikë për këto të dhëna dhe për të dyshuar se qytetarët rusë ndihen rehat nëse thonë se nuk e mbështesin Putinin”, thotë Sokhey.
Në sondazhin e publikuar më 30 mars, të parin pas nisjes së luftës në Ukrainë, qendra Levada ka gjetur se mbi 80 për qind e të anketuarve rusë i mbështesin veprimet e Putinit.
Sipas analistëve, regjimi i Putinit është ndërtuar mbi përfitime të ndërsjella – domethënë, oligarkëve dhe liderëve rajonalë u është dhënë leja për të vjedhur shtetin, në këmbim të besnikërisë së tyre. Nëse dalin jashtë kësaj vije, ata mund të shkatërrohen brenda natës.
Shumë analistë e cilësojnë si regjim shtypës, me mjaft mjete dhe ligje për t’i mbajtur nën kontroll qytetarët.
Brian Taylor, profesor në Universitetin Syracuse në Nju Jork, thotë për Exposenë se nuk sheh shenja të çarjeve në regjimin rus, që mund të çojnë në rrëzimin e tij. Por, shton ai, janë disa skenarë që do të mund ta rrezikonin.
“Padyshim, një humbje katastrofike ushtarake, edhe më e madhe se kjo tani; pastaj kolapsi i plotë i forcave [ruse], ikja e tyre nga fronti; rikthimi i më shumë territoreve nga Ukraina – përfshirë jo vetëm qytetin e Hersonit, por një pjesë më të madhe të rajonit – mbyllja e pikës hyrëse në Krime… Këto gjëra do të çonin në akuza më të mëdha në Moskë. Por, jo domosdoshmërisht në rënien e regjimit”.
“Nga pikëpamja e Putinit, ka gjithmonë burime për t’u hedhur në luftë, ka mënyra për të shpërbërë Ukrainën dhe për të penguar mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën. Kështu që, aktualisht, nuk mendoj se ai ka disponim për t’u tërhequr dhe nuk mendoj se është i detyruar të tërhiqet”, thotë Taylor.
Për më tepër, Rusia nuk ka traditë të madhe të grushtshteteve të suksesshme ushtarake, shton Taylor, njëherësh autor i librit “Kodi i Putinizmit”.
“Disa njerëz kanë nxjerrë mësime nga diktaturat tjera, në të cilat, problemet ushtarake kanë çuar në kolapsin e tyre. Këto janë informacione relevante. Por, nëse e shohim në kontekstin rus, nuk ka shumë shembuj të një gjëje të tillë në histori, përveç në vitin 1917. Nëse kjo duket si viti 1917 nga këndvështrimi i Rusisë, atëherë ndoshta regjimi është në rrezik. Por, nuk mendoj se jemi në këtë pikë”, thotë Taylor.
Në vitin 1917, Rusinë e kanë përfshirë dy revolucione, që i kanë dhënë fund sundimit shekullor perandorak dhe kanë sjellë lëvizje të tilla politike dhe sociale, që kanë çuar në formimin e Bashkimit të atëhershëm Sovjetik.
Sokhey thotë se marrë parasysh faktin se Perëndimi është duke i shtuar vazhdimisht sanksionet kundër Rusisë, rreziku për Putinin mund të rritet nëse elita fillon ta shohë atë si kërcënim për pasurinë e saj.
“Për të pasur protesta popullore që do ta rrëzonin Putinin, do të duhej të kishte një lëvizje të madhe dhe të qëndrueshme brenda Rusisë. Por, tash për tash së paku, kjo nuk duket se do të ndodhë, nuk duket se do të ketë lëvizje të tillë të qëndrueshme që do ta largonte me sukses nga pushteti. Një skenar më realist mund të jetë që elita e nivelit më të lartë të kthehet kundër Putinit”, thotë Sokhey.
Dy analistët thonë se, edhe nëse Putin humb pushtetin, kjo gjë nuk do të dihet deri në ditën kur do të ndodhë. Se kush do ta pasonte, po ashtu është e paqartë. Në një afat të shkurtër, ata pajtohen se luftimet në fushëbetejë do të vazhdojnë – ndoshta edhe më ashpër.
Cilido që të jetë skenari, Ukraina tashmë ka përjetuar humbje shkatërruese, si në civilë dhe ushtarë, ashtu edhe në infrastrukturë. /REL