“Ushtria amerikane duhet të jetë e gatshme t’i përgjigjet pushtimit potencial të Tajvanit”, shtoi admirali amerikan.
Ish-admirali amerikan Michael Gilday ka shprehur brengën lidhur me qëllimet e Pekinit karshi Tajvanit.
Gilday që ishte në krye të operacioneve detare amerikane, ka shprehur shqetësimin se presidenti kinez Xi Jinping mund të jetë më i gatshëm sesa mendohej, lidhur me çështjen e marrjes së Tajvanit nën kontroll.
Komentet e tij pasojnë pasi që zyrtari më i lartë i sigurisë në Tajvan, paralajmëroi se çdo tentim për pushtim do të dështojë dhe se Kinën do ta çojë drejt izolimit ndërkombëtar.
Xi është në prag të sigurimit të mandatit të tretë pesëvjeçar në krye të Kinës. Në Kongresin e Partisë Komuniste, ritheksoi se një ditë do të “bashkojë” apo ta marrë dhunshëm Tajvanin.
Gjatë një bisede me Atlantic Council, Gilday është pyetur për fjalimin e Xi dhe nëse pajtohet me komentet e admiralëve tjerë amerikanë, që Pekini do të jetë i gatshëm të marrë Tajvanin deri më 2027.
“Nuk është fjala vetëm për atë çfarë thotë presidenti Xi, por si kinezët sillen dhe çfarë bëjnë”, shtoi Gilday.
“Ajo çfarë kemi parë në 20 vitet e fundit është se kanë përmbushur çdo premtim para kohe. Pra, kur flasim për 2027, sipas mendimi tim, 2023-ta është mundësia potenciale që kjo të ndodhë. Nuk mund ta hedhim poshtë këtë. Nuk më pëlqen të jem pesimist kur e them këtë, por kërcënime të tilla nuk duhet t’i anashkalojmë”, theksoi admirali amerikan.