Deri më tani nuk ka pasur një deklaratë zyrtare në këtë drejtim, pavarësisht sinjaleve të shumta, por gjithçka është zbuluar nga relacioni i projektbuxhetit të vitit 2023, në të cilin qeveria ka parashikuar të realizojë të ardhura nëpërmjet taksimit të lojërave të fatit.
Pas kërkesave të vazhdueshme, konsultimeve me grupet e interest dhe debateve të shumta, duket se qeveria ka vendosur tashmë që të rikthejë lojërat e fatit gjatë vitit të ardhshëm.
Dhe nëse parashikohen mbledhje taksash në këtë sektor, atëherë do të thotë se pritet një legjitimin i këtij tregu 7 vite pas mbylljes.
Në ndihmë të këtij argumenti vjen edhe shpjegimi që bëri gazetari i ABC, Artan Hoxha, pak javë më parë në studion e ABC Live, i cili tha se tashmë që Ervis Martinaj është zhdukur, pritet edhe një rikthim i lojërave të fatit. Kjo, pasi sipas tij, sa ishte në “treg” Martinaj nuk lejonte rikthimin e tyre nga aktorë të tjerë përveç tij, pasi më parë njihej si “Mbreti i lojërave të fatit”. Pikërisht ky fakt sipas Hoxhës bëri që Martinaj të kishte përballë kundërshtarë të fortë, me interesa të mëdha në tregun e lojërave të fatit siç janë njerëz pranë maxhorancës së sotme.
Por çfarë thuhet në projektbuxhet?
Ministria e Financave ka planifikuar rreth 2 miliard lekë të ardhura nga lojërat e fatit gjatë vitit 2023. Nuk është ndonjë shumë e konsiderueshme, pati tregu ka potencial tepër më të madh, megjithatë është një konfirmim se 2023 do të na gjejë me bastet hapur.
“a)Të ardhurat nga “Takse mbi Lojrat e Fatit” në vitin 2023 vlerësohet të jenë 2 miliardë lekë. Nga miratimi në ligj i lojrave të fatit ‘baste sportive’, me efekt nga 1 janari 2023, vlerësohet të arkëtohen në buxhetin e shtetit 2 miliardë lekë”, thuhet në projektbuxetin e vitit 2023.
Si një burim tjetër të ardhurash, qeveria përmend edhe tatimin e jashtëzakonshëm në sektorin energjetik që do të aplikohet ndaj prodhuesve të vegjël privatë.
“Risia kryesore e kësaj pakete fiskale janë Ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, Ligji “Për tatimin e jashtëzakonshëm në sektorin energjitik” si dhe rifutja në legjislacion e basteve sportive online. Njëkohësisht janë paraqitur edhe ndryshime të tjera më pak të rëndësishme në fushën e akcizave, taksave nacionale dhe procedurave tatimore”, thuhet në projektligj. /abcnews.al