BE arrin marrëveshje: Ligji që ndalon shitjen e veturave me karburant nga viti 2035

Negociatorët nga vendet e BE-së dhe Parlamenti Evropian, të cilët duhet edhe të aprovojnë ligjet e reja të BE-së, si dhe edhe Komisioni Evropian, i cili i harton ligje të reja, u morën vesh se prodhuesit e veturave duhet të arrijnë ulje prej 100 për qind të emetimeve të CO2 deri në vitin 2035m gjë kjo e cila do ta bënte të pa mundur shitjen e veturave të reja me lëndë djegëse fosile në bllokun 27-vendësh, raporton France24.

“Kjo marrëveshje është një lajm i mirë për drejtuesit e veturave – veturat e reja me zero-emetim do të kushtojnë më lirë, duke u bërë më të përballueshme dhe duke u ofruar të gjithëve edhe më shumë qasje tek këto vetura”, tha Jan Huitema, krye negociatori i Parlamentit Evropian.

Bashkimi Evropian bëri një marrëveshje gjatë ditës së djeshme mbi një ligj i cili ndalon shitjen e veturave të reja me benzinë dhe naftë që nga viti 2035, duke synuar që ta arrijnë kalimin tek veturat elektrike dhe luftimin e ndryshimit klimatik.

Shefi i politikave klimatike të BE-së Frans Timmermans, deklaroi se marrëveshja dërgoi një sinjal të fortë drejt industrisë së veturave dhe klientëve të tyre.

“Evropa po e përqafon kalimin tek lëvizja me zero-emetim”, tha ai.

Marrëveshja përfshinte gjithashtu një ulje prej 55 për qind në emetimet e CO2 për veturat e reja të shitura nga viti 2030 kundrejt niveleve të vitit 2021, shumë më e lartë se objektivi ekzistues i një reduktimi prej 37.5% deri atëherë.

Furgonët e rinj duhet të jenë në përputhje me një reduktim 100% të CO2 deri në vitin 2035 dhe një ulje prej 50% deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 2021.

Ky ligj do të jetë i pari që do të finalizohet nga një paketë më e gjerë e politikave të reja të BE-së, të krijuara për të përmbushur objektivat e bllokut për të ulur emetimet e gazeve serrë.

Brukseli po kërkon marrëveshje edhe për 2 ligje të tjera nga kjo paketë për të përfunduar në kohë për negociatat mbi klimën që do të mbahen me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjatë muajit nëntor, në përpjekje për të treguar se pavarësisht recesionit kanosës dhe rritjes së çmimeve të energjisë, BE-ja po ecën përpara me qëllimet e tyre klimatike.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.