“Banka” më e madhe e drogës në Evropë çmontohet, shqiptarët arritën të dominojnë tregun brenda 15 viteve

Policia Kombëtare e Spanjës (Policía Nacional) dhe Agjencia e Taksave (Agencia Tributaria), me mbështetjen e Europol dhe Eurojust, kanë çmontuar një grup të krimit të organizuar që besohet se drejton ”bankën e drogës” më të madhe në Evropë.

Rrjeti kriminal përbëhej kryesisht nga shtetas sirianë dhe kolumbianë dhe menaxhonte këtë “bankë”, e cila ofronte shërbime financiare për organizatat kriminale të lidhura me trafikun e drogës në më shumë se njëzet vende. Banda kishte filluar aktivitetin e saj që në vitin 2020.

Vlerësohet të ketë pastruar më shumë se 300 milionë euro në vit.

Operacioni i policisë spanjolle ishte kolosal: Më shumë se 200 oficerë bastisën njëkohësisht 21 vendndodhje në provincat spanjolle të Malaga dhe Toledos.

Ata arrestuan 32 të dyshuar dhe sekuestruan pasuri me vlerë gati 3 milionë euro. Konkretisht janë konfiskuar:

428.205 euro cash

19 llogari kriptomonedhash me vlerë 1.5 milionë euro

11 automjete luksoze

70 kg hashash, 1.2 ton marihuanë dhe një plantacion me 995 bimë marihuanë.

Autoritetet spanjolle kishin sekuestruar gjithashtu 2.9 milionë euro para të gatshme gjatë hetimit që i parapriu bastisjeve.

Si funksiononte narko-banka

Bankierët kriminelë kishin krijuar një rrjet financiar me lidhje ndërkombëtare dhe u mundësonin klientëve të tyre të bënin pagesa, të merrnin fonde dhe të pastronin të ardhurat e tyre.

Kriminelët i “drejtuan” operacionet e tyre nga një restorant lokal, ku klientët shkonin për të depozituar ose mbledhur para të gatshme, të cilat menaxhoheshin kryesisht nga profesionistë vendas kinezë.

“Bankierët” përdorën sistemin informal të transfertave të parave Hawala për të legjitimuar të ardhurat nga aktivitetet e paligjshme dhe për të shmangur kontrollet e ligjit.

Sipas hulumtimit të FMN-së dhe Bankës Botërore , Hawala është një sistem joformal i transferimit të fondeve (IFT), i cili është veçanërisht i popullarizuar kryesisht në Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore.

Karakteristikat operacionale të sistemit Hawala, domethënë, shpejtësia, kostot e ulëta të transaksionit, komoditeti, fleksibiliteti dhe anonimiteti kontribuojnë në përdorimin e tij të gjerë.

Sipas hulumtimit të kryer nga Task Forca e Veprimit Financiar të SHBA-së, sistemet informale të pagesave paraqesin një rrezik financimi terrorizmi për shkak të mungesës së rregullimit dhe ekzistencës së tyre jashtë sistemit bankar konvencional.

Organizata kishte automjete luksoze, disa prej të cilave u gjetën dhe u konfiskuan

Operacioni nga autoritetet spanjolle zgjati mbi dy vjet dhe u krye me mbështetjen e Europolit . Që nga maji 2020, Europol ka ofruar zhvillim dhe analizë të inteligjencës për të hartuar aktivitetin ndërkombëtar të rrjetit kriminal.

Dy ekspertë nga Qendra Evropiane e Krimit Ekonomik dhe Financiar u dërguan në Madrid për të ndihmuar hetimin spanjoll për të kryqëzuar inteligjencën operacionale gjatë bastisjes.

Evropa është e përmbytur me drogë

Sipas të dhënave të fundit përkatëse nga Europol, sasitë e drogës që qarkullojnë në Evropë kanë arritur rekorde historike.

Vitin e kaluar, rreth 300 ton kokainë u kapën në të gjithë Evropën. Sipas autoriteteve europiane, kjo sasi është “një pjesë shumë e vogël e sasive që hyjnë në tregun europian, ndoshta 10% deri në 15%, apo edhe sa 1%”.

Evropa është bërë një treg i madh për trafikantët e drogës sa Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa tradicionalisht kartelet kolumbiane janë marrë vetëm me mafiozët italianë, të cilët kontrollonin hyrjen e drogës në Evropë, kriminelët e rinj janë përfshirë tani në prodhim, kontrabandë dhe shpërndarje në të gjithë kontinentin.

Gjatë 15 viteve të fundit, grupet mafioze shqiptare kanë dalë në pah, ndërsa trafikantët kolumbianë dhe domenikanë janë zhvendosur në Evropë për të mbikëqyrur operacionet nga Spanja, e cila prej kohësh është shfaqur si një qendër kryesore për drogën që hyn në Evropë.

Megjithatë, pjesa më e madhe e kokainës së kontrabanduar besohet se arrin përmes kontejnerëve detarë në portin e Roterdamit në Holandë, më i madhi në Evropë dhe në portin e afërt të Antwerpen në Belgjikë.

Në vitin 2021, autoritetet kapën më shumë se 70 ton kokainë me një vlerë totale prej më shumë se 3.5 miliardë euro vetëm në portin e Roterdamit, një sasi e re rekord.

“Por kjo është vetëm maja e ajsbergut”, thuhet në një raport të publikuar në faqen e internetit të Portit të Roterdamit. “Duket se këto sekuestrime droge nuk po e ndalin realisht aktivitetin kriminal.”/Abcnews.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published.