Udhëheqësit e lartë ushtarakë rusë kanë diskutuar së fundmi rreth asaj sesi Moska mund të përdorët armët taktike bërthamore në Ukrainë, kanë bërë të ditur zyrtarët amerikanë.
Presidenti rus Vladimir Putin raportohet se nuk ka marrë pjesë në këtë diskutim, por fakti që është diskutuar për këtë nga qarqet ushtarake ruse, e ka brengosur tej mase administratën e Bidenit, transmeton Telegrafi.
Në fakt, kjo tregon se sa të frustruar janë gjeneralët rusë për shkak të mossuksesit në fushëbetejë, dhe se kërcënimet e Putinit për përdorimin e armëve bërthamore, nuk janë vetëm fjalë boshe.
Zyrtarët amerikanë megjithatë pretendojnë se deri më tani nuk kanë parë ndonjë dëshmi për lëvizjen e armëve bërthamore apo zënien e pozitave taktike për sulm, shkruan New York Times.
Pentagoni vlerëson se Rusia ka rezerva prej 2 mijë armëve taktike bërthamore. Ky lloj i armës ka fuqi më të vogël sesa raketa balistike, dhe përdoret në rreze të vogla veprimi.
Informacionet për diskutimin e zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë, vjen në kohën kur Moska po akuzon Ukrainën se planifikon të përdorë të ashtuquajturën bombën e pistë – eksploziv me materiale bërthamore.
E edhe pse rreziku për eskalim të mëtutjeshëm është brengosës, zyrtarët e administratës së Bidenit thonë se gjatë bisedës telefonike mes kolegëve perëndimorë dhe atyre rusë gjatë muajit të kaluar, kanë ulur paksa nivelin e frikës nga përdorimi i armëve bërthamore.